OKB miraton rezolutë që mbështet integritetin territorial të Ukrainës

Anëtarët e Kombeve të Bashkuara kanë miratuar një rezolutë që mbështet integritetin territorial të Ukrainës, teksa Uashingtoni ka shtyrë përpara një rezolutë të veten në të cilën nuk përmendej faji i Rusisë për luftën që ka nisur tre vjet më parë. Rezoluta e mbështetur nga shtetet evropiane mori 93 vota për, 18 kundër dhe 65…

Bota

24/02/2025 21:23

Anëtarët e Kombeve të Bashkuara kanë miratuar një rezolutë që mbështet integritetin territorial të Ukrainës, teksa Uashingtoni ka shtyrë përpara një rezolutë të veten në të cilën nuk përmendej faji i Rusisë për luftën që ka nisur tre vjet më parë.

Rezoluta e mbështetur nga shtetet evropiane mori 93 vota për, 18 kundër dhe 65 abstenime.

Nga shtetet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bosnjë e Hercegovina votuan në favor të Rezolutës.

Teksti i rezolutës kritikon ashpër Rusinë dhe vë në pah integritetin territorial të Ukrainës dhe paprekshmërinë e kufijve të saj.

Uashingtoni hartoi një rezolutë rivale, në mes të intensifikimit të mospajtimeve mes presidentit amerikan, Donald Trump, dhe atij ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Ambasadori rus në OKB, Vassily Nebenzia, e kishte cilësuar rezolutën e SHBA-së si “hap në drejtimin e duhur”, teksa dy shtetet së fundi kanë ndërmarrë hapa për të rivendosur raportet.

Por, aleatja e Uashingtonit, Franca, prezantoi amendamente në tekstin e rezolutës së SHBA-së, duke i thënë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së se Parisi së bashku me shtetet evropiane dhe Britaninë, nuk do “të jenë në gjendje ta mbështesin atë në formën aktuale”.

Këto shtete, që mbështesin Ukrainën, prezantuan formulime të reja në tekstin e SHBA-së, duke thënë se “pushtimi në shkallë të plotë i Ukrainës” u krye nga Rusia.

Hungaria, kryeministri i së cilës Viktor Orban, është parë si një nga liderët më pro presidentit rus, Vladimir Putin, në Evropë, votoi kundër amendamenteve.

Amendamentet po ashtu konfirmuan përkushtimin për “integritetin territorial” të Ukrainës, fjalë që nuk ishin në tekstin e SHBA-së.

Propozimi amerikan u ndryshua aq shumë, saqë në fund Uashingtoni e abstenoi tekstin.

Rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së nuk janë ligjërisht të obligueshme, por konsiderohen si indikator për opinionin e botës.

Paprekshmëria e integritetit territorial të Ukrainës ishte në epiqendër të rezolutave të miratuara më herët në OKB, teksa SHBA-ja i ishte mbështetur ato.

“Përpjekjet për të shtuar këtë gjuhë e heq vëmendjen nga ajo që po përpiqemi të arrijmë me këtë rezolutë që ka një perspektivë të orientuar nga e ardhmja”, tha e dërguara e Uashingtonit në OKB, Dorothy Shea, para votimit.

Pas votimit në Asamblenë e Përgjithshme, Uashingtoni pritet të dërgojë në Këshillin e Sigurimit më vonë gjatë së hënës rezolutën e tij, teksa një zyrtar i Departamentit amerikan të Shtetit ka paralajmëruar se SHBA-ja do të vendosë veto nëse shtetet evropiane apo Rusia synojnë ta ndryshojnë tekstin.

Sipas mekanizmave në OKB, Uashingtoni nuk mund të vendoste veto ndaj amendamenteve në Asamblenë e Përgjithshme.

Ndërkaq, një rezolutë në Këshill të Sigurimit duhet të marrë të paktën nëntë vota për nga 15 anëtarët e Këshillit dhe të mos marrë asnjë veto nga pesë anëtarët e përhershëm.

Edhe nëse shtetet e Bashkimit Evropian në Këshill, që janë Franca, Sllovenia, Danimarka, Greqia si dhe Britania, do të abstenonin gjatë votimit, rezoluta e SHBA-së do të kalonte. /REL