OKB-ja akuzon Italinë për dështim që t’i shpëtojë mbi 200 të mbytur në det

Komisioni për të Drejtat e Njeriut i Kombeve të Bashkuara të mërkurën tha se Italia ka dështuar në detyrën e saj për ta mbrojtur jetën njerëzore duke e vonuar një mision të shpëtimit për një barkë që po përmbytej në Detin Mesdhe.

Bota

28/01/2021 08:37

Mbi 200 persona që ndodheshin në kët barkë ishin mbytur më 11 tetor të vitit 2013 pasi kërkesat e përsëritura për ndihmë ishin injoruar, thuhet në vlerësimin e komisionit për rastin që u paraqit nga të mbijetuarit sirianë dhe palestinezë, të cilët i humbën familjarët në këtë fatkeqësi.

Barka ishte duke i transportuar rreth 400 persona, shumica sirianë, kur ishte nisur nga Libia. Drejtuesit e saj kishin lëshuar thirrje për ndihmë, kur barka ishte qëlluar me armë nga një barkë tjetër, shkruan The Guardian.

Sipas hulumtimit, autoritetet italiane u ishin përgjigjur thirrjeve për ndihmë duke ia referuar gjendjen rojës bregdetare të Maltës. Një barkë malteze kishte shkuar në vendin e ngjarjes vetëm pas gati pesë orëve, kur barka tashmë ishte fundosur.

“Nëse autoritetet italiane do t’i drejtonin menjëherë barkat e rojës bregdetare pas thirrjeve, operacioni i shpëtimit do të arrinte te barka së paku dy orë para se ajo të fundosej”, tha anëtarja e këtij komisioni, Helene Tigroudja.

“Aksidenti ndodhi në ujërat ndërkombëtare brenda zonës së kërkim-shpëtimit të Maltës, por vendndodhja ishte vërtet më së afërti Italisë dhe njërës prej anijeve të saj”, shtoi ajo.