OEK-u i drejtohet Avokatit të Popullit, kërkon pezullimin e vendimit të ZRRE-së për tregun e hapur të energjisë

Oda Ekonomike e Kosovës i është drejtuar Avokatit të Popullit me kërkesë për të iniciuar në Gjykatën Kushtetuese, që të pezulloi vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) lidhur me rritjen e mundshme të çmimit të energjisë elektrike, për një periudhë kohore prej të paktën një vit. Kështu është bërë e ditur në një…

Lajme

23/03/2025 09:34

Oda Ekonomike e Kosovës i është drejtuar Avokatit të Popullit me kërkesë për të iniciuar në Gjykatën Kushtetuese, që të pezulloi vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) lidhur me rritjen e mundshme të çmimit të energjisë elektrike, për një periudhë kohore prej të paktën një vit.

Kështu është bërë e ditur në një njoftim për media nga OEK.

“Kjo kërkesë vjen me qëllim mbrojtjen e bizneseve nga rritja e mundshme e çmimit të energjisë elektrike, e cila do të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e kostos së prodhimit apo shërbimit.

Një rritje e tillë do të ndikonte negativisht në konkurrueshmërinë e bizneseve në tregun e brendshëm dhe atë të jashtëm, duke ulur gjithashtu standardin jetësor të qytetarëve”, thuhet në njoftim.

Arsyet e kërkesës për shtyrje të afatit sipas Odës Ekonomike të Kosovës janë:

-Kosto të larta dhe pasiguri në çmime – bizneset argumentojnë se dalja nga tregu i rregulluar mund të sjellë rritje të ndjeshme të kostove të energjisë, duke ndikuar drejtpërdrejtë në qëndrueshmërinë e tyre financiare.

-Mungesë e informimit dhe infrastrukturës – shumë kompani nuk janë të përgatitura për këtë kalim dhe kanë nevojë për më shumë kohë për t’u përshtatur me modelin e tregut të lirë.

-Efektet në konkurrencën dhe stabilitetin e tregut – një kalim i menjëhershëm mund të krijojë një situatë ku bizneset më të vogla penalizohen më shumë, duke ndikuar negativisht në konkurrencë.

“Përveç kërkesës së lartpërmendur, kërkesë tjetër lidhur me këtë vendim është edhe të mos caktohet një numër i përcaktuar i punonjësve apo një prag mbi vlerën e qarkullimit, si kritere për daljen në treg të hapur”, thuhet tutje në njoftimin e OEK-së.