Oda Amerikane mirëpret vendimin e Qeverisë për largimin e barrierave në tregtinë e mallrave serbe

Oda Ekonomike Amerikane ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës për largimin e barrierave në tregtinë e mallrave serbe. Sipas Odës Amerikane, kjo ka qenë në kundërshtim me frymën e promovuar nga Marrëveshja për Tregtinë e Lirë e Evropës Qendrore (CEFTA), por edhe zotimet e ndërmarra nga Kosova në kuadër të procesit të integrimit në…

Lajme

07/10/2024 13:15

Oda Ekonomike Amerikane ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës për largimin e barrierave në tregtinë e mallrave serbe.

Sipas Odës Amerikane, kjo ka qenë në kundërshtim me frymën e promovuar nga Marrëveshja për Tregtinë e Lirë e Evropës Qendrore (CEFTA), por edhe zotimet e ndërmarra nga Kosova në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.

“Masa e tillë ka rrezikuar kështu edhe pjesëmarrjen e Kosovës në nismat e bashkëpunimit rajonal, me pasoja të rënda për ekonominë dhe procesin e integrimit euro-atlantik të Kosovës. Duke pasur parasysh që njëri ndër synimet kryesore të CEFTA-së përfshin reduktimin e kostove të tregtisë dhe prodhimit, përmes eliminimit të barrierave të lëvizjes së mallrave, Oda Amerikane i bënë thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës që sa më shpejtë të jetë e mundur të fuqizojë mekanizmat e kontrollit në të gjitha vendkalimet kufitare, ashtu që masa aktuale e sigurisë të mund të shfuqizohet në tërësi”, thuhet në komunikatën e Odës Amerikane.

Sipas tyre, Qeveria e Kosovës përmes këtij vendimi dëshmon se Kosova mbetet e përkushtuar në promovimin e lëvizjes së lirë të mallrave ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe avancimit të përpjekjeve për krijimin e tregut të përbashkët rajonal, shkruan lajmi.net. 

“Oda Ekonomike Amerikane beson fuqishëm në idenë e lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit, prandaj u bënë thirrje Kosovës dhe të gjitha shteteve pjesëmarrëse në nismat rajonale që të punojnë së bashku për largimin e të gjitha barrierave ekzistuese që pamundësojnë realizimin e katër lirive të sipërcekura, e në këtë aspekt edhe eliminimin e barrierave të shumta me të cilat ballafaqohen prodhuesit nga Kosova në përpjekjet e tyre për eksport apo kalim transit në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë”, thuhet mes tjerash në komunikatë. /Lajmi.net/