OAK kërkon të largohet tarifa për dezinfektim ose të mbulohet nga shteti

Oda e Afarizmit të Kosovës ka kërkuar nga autoritetet shtetërore që ta largojnë tarifën për dezinfektimin e mjeteve që hyjnë në Kosovë.

Lajme

01/06/2020 15:14

Oda e Afarizmit të Kosovës ka pranuar me shqetësim vendimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, për vendosjen e një tarife për dezinfektim të mjeteve në hyrje të Kosovës, në këtë rast OAK ka kërkuar largimin e menjëhershëm të saj ose që të mbulohet kjo kosto nga shteti.

Bizneset anëtare të sektorit të transportit kanë shprehur shqetësim lidhur me vendimin nga MPBAP, i cili nga data 01.60.2020, obligon këto biznese që të paguajnë tarifa shtesë për kamionët që hyjnë në Kosovë.

Sipas këtij vendimi, kërkohet dezinfektimi i të gjitha mjeteve të rënda që hyjnë në pikat kufitare në territorin e Republikës së Kosovës si masë mbrojtëse.

Në këtë rast, biznesi i kontraktuar nga Ministria ka paraqitur disa tarifa të larta, duke filluar nga 17 euro deri në 22 euro, varësisht nga pesha e mjetit.

Oda e Afarizmit të Kosovës kërkon që të largohen këto tarifa, sepse konsiderohen shumë të larta për bizneset, e sidomos tani duke pasur parasysh vështirësitë ekonomike që po hasin.

Lexo edhe: 

Bizneseve iu kërkohen nga 22 euro për dezinfektimin e kamionëve në Vërmicë

OAK konsideron se tarifën për dezinfektim duhet ta merr përsipër shteti sepse biznesi në Kosovës edhe kështu është i mbingarkuar me taksa dhe tatime të ndryshme.

Gjithashtu, sipas këtij vendimi kërkohet dezinfektimi i mjetit në hyrje të Kosovës, ku shumë transportues që qarkullojnë më shumë se një herë brenda ditës në hyrjet e Kosovës do të detyrohen të paguajnë të njëjtën tarifë për secilën hyrje-dalje.

“Kuptojmë që ky vendim është bërë për parandalim të përhapjes së COVID-19, por duhet të kemi parasysh që këto tarifa po ju vështirësojnë punën bizneseve të cilat kanë pasur rënie financiare”, thuhet ne fund të komunikatës. /Lajmi.net/