Nxehtë në KQZ, Radoniqi i ashpër me Alban Krasniqin: Po manipulon
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), në mbledhjen e mbajtur sot, ka plotësuar dhe ndryshuar vendimin për Qendrat e Votimit në përfaqësitë diplomatike për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës. Pas këtij vendimi, disa votues të regjistruar në përfaqësi diplomatike nuk do të votojnë fizikisht, por do të udhëzohen të kryejnë votimin përmes…
Lajme
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), në mbledhjen e mbajtur sot, ka plotësuar dhe ndryshuar vendimin për Qendrat e Votimit në përfaqësitë diplomatike për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Pas këtij vendimi, disa votues të regjistruar në përfaqësi diplomatike nuk do të votojnë fizikisht, por do të udhëzohen të kryejnë votimin përmes postës.
Mbledhja u shoqërua me debate mes anëtarëve të KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës, si dhe mes kryesuesit të KQZ-së dhe përfaqësuesit të VV-së, lidhur me votimin e personave të burgosur jashtë vendit.
Anëtari i KQZ-së nga VV-ja, Alban Krasniqi, propozoi që të krijohen procedura të veçanta për votimin e të burgosurve jashtë Kosovës, duke përfshirë edhe ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që mbahen në paraburgim në Hagë. Ai sugjeroi hapjen e një qendre të veçantë votimi në Hagë.
“Ajo që i mungon këtij dokumenti është edhe një qendër e re që duhet të hapet, që duhet të trajtohet si qendër e veçantë e votimit për qytetarët tanë që mbahen padrejtësisht në Hagë. Andaj propozimi im është që të futet kjo pikë si vendvotim, sepse aty janë gjithashtu personat në fjalë që e dimë se cilët janë.”
Ndërkaq, anëtari i KQZ-së nga PDK-ja, Arianit Elshani, u shpreh kundër këtij propozimi, duke argumentuar se votimi në Hagë nuk është i nevojshëm:
“Opsioni i parë duhet të mbështetet, ndërsa në raport me Hagën, nuk ka nevojë të hapet votimi, sepse kjo është në kategorinë e votimit të personave me nevoja të veçanta.”
Debati u ashpërsua më tej kur Krasniqi theksoi se i njëjti parim duhet të aplikohet edhe për raste të tjera jashtë vendit, përfshirë Kumanovën, dhe akuzoi anëtarin e PDK-së se votimi i krerëve të UÇK-së nga Haga ka qenë i jashtëligjshëm.
“Unë e mbroj parimin e të drejtës së qytetarit. Nuk ndihem mirë që procedurat e votimit të kryhen jashtë ligjit, qoftë edhe në Hagë. Nuk është e rregulluar dhe nuk duhet të gënjehet publikisht,” deklaroi Krasniqi.
Nga ana tjetër, Arianit Elshani sqaroi se votimi në Hagë nuk mund të organizohet pasi Gjykata Speciale nuk lejon praninë e komisionerëve partiakë.
“Gjykata Speciale nuk po lejon të dërgohen komisionerë të partive politike. Kemi kërkuar, por nuk na lejohet,” tha ai.
Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, reagoi ndaj deklaratave të Krasniqit, duke e akuzuar atë për manipulim të çështjes dhe duke theksuar se KQZ-ja duhet të veprojë vetëm sipas kornizës ligjore dhe rekomandimeve institucionale.