Nura kërkon konstituim të Kuvendit sa më parë: Fitorja në zgjedhje nuk është licencë për ta mbajtur shtetin peng
Deputeti i PDK-së, Jakup Nura ka folur sot në Kuvendin e Kosovës në lidhje me moskonstituimin e Kuvendit dhe bllokadën institucionale. Ai ka thënë se sot nuk po flasin për një parti politike, por për Kosovën. “Qytetarët votuan, vullneti i tyre është shprehur, tani duhet të respektohet vullneti dhe të ndërtohen institucionet. Partia që ka…
Lajme
Deputeti i PDK-së, Jakup Nura ka folur sot në Kuvendin e Kosovës në lidhje me moskonstituimin e Kuvendit dhe bllokadën institucionale.
Ai ka thënë se sot nuk po flasin për një parti politike, por për Kosovën.
“Qytetarët votuan, vullneti i tyre është shprehur, tani duhet të respektohet vullneti dhe të ndërtohen institucionet. Partia që ka fituar zgjedhjet ka të drejtë ta propozoj kryetarin e Kuvendit, por nuk ka të drejtë ta mbaj peng Kuvendin. Fitorja e zgjedhjeve është mandat për të qeverisur, jo licencë për ta bllokuar shtetin. Kushtetuta dhe rregulloret e Kuvendit përcaktojnë qartë procedurat e seancës konstituive”, ka thënë Nura.
Ai ka thënë se seancat duhet të vazhdojnë deri në konstituimin e Kuvendit.
“Ndërprerja nuk mund të përdoret si mjet për zvarritje të pafund. 48 orë nuk janë javë, as muaj, nuk janë pafundësi. Kryesuesi i përkohshëm nuk është kryetar partie, as kryetar i Parlamentit, ai nuk është përfaqësues i interesave të një grupi politik. Ai është aty për ta udhëhequr procedurën, prandaj duhet të themi qartë, një funksion teknik nuk mund të shndërrohet në armë politike. Kur një pozitë që duhet të garantoj procedurën, përdoret për ta bllokuar atë, atëherë nuk kemi më një problem procedurial, kemi një problem instiktucional”, ka thënë Nura.
Ai ka thënë se përgjegjësi nuk mund të ketë vetëm drejtuesi i seancës, por sipas tij ajo shkon dhe te ata që e përdorin këtë situatë për interesat e tyre politike.
“Ju fituat zgjedhjet, por nuk e keni fituar Kuvendin e as Kosovën, nuk i keni fituar instituicionet dhe mbi të gjitha nuk e keni fituar të drejtën për ta mbajtur shtetin peng. Kosova nuk është pronë e 53 deputetëve, Kuvendi nuk është zyre private e shumicës. Shteti nuk është mjet për kalkulime politike. Kuvendi është i 120 deputetëve, i qytetarëve, Kosova është e qytetarëve. Kujt po i konvenon bllokada sot? Kush po fiton nga moskonstituimi i Kuvendit? Kush po shpreson që nga një krizë institucionale të del një përfitim politik?”, ka thënë Nura.
Ai ka thënë se nëse dikush mendon se zgjedhjet e reja i sjellin më shumë vota, le t’i tregoj qytetarëve pse po shkojmë në zgjedhje.
“Mandati i qytetarëve është të ndërtohen institucionet, jo t’i paralizojmë ato. Nga moskonstituimi i Kuvendit. nuk po humbim ne si deputetë por ne si qytetarë. Ne kërkojmë vetëm atë që qytetarët na kanë dhënë mandatin për të kërkuar, të konstituohet Kuvendi, të zgjidhet kryetari, të zgjidhen nënkryetarët dhe të vazhdoj puna pa zvarritje, pa lojëra, pa bllokada sepse Kosova nuk mund të pres derisa dikush t’i bëj llogaritë e veta politike”, ka thënë Nura.
Ai ka thënë se Kuvendi duhet të konstitohet ashtu që të kaloj kriza politike dhe ekonomike që ka thënë se tash e sa vite po i rëndon qytetarët e Kosovës.
“Shteti nuk mund dhe nuk duhet të jetë peng i askujt, dhe aq më pak i atyre që pretendojnë se janë fitues të zgjedhjeve”, ka shtuar Nura mes të tjerave. /Lajmi.net/