Prokuroria zbulon detaje për vrasjen e dyfishtë në Gjilan: I dyshuari pa të kaluar kriminale

Prokuroria Themelore në Gjilan ka dhënë detaje lidhur me vrasjen e dyfishtë dhe plagosjen e rëndë që ndodhi të premten në fshatin Livoç i Poshtëm të Gjilanit. Sipas komunikatës së Prokurorisë, dyshohet se një 38-vjeçar nga Gjilani, me inicialet V.R., për motive ende të panjohura, me armë zjarri ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij,…

Lajme

09/10/2026 22:56

Prokuroria Themelore në Gjilan ka dhënë detaje lidhur me vrasjen e dyfishtë dhe plagosjen e rëndë që ndodhi të premten në fshatin Livoç i Poshtëm të Gjilanit.

Sipas komunikatës së Prokurorisë, dyshohet se një 38-vjeçar nga Gjilani, me inicialet V.R., për motive ende të panjohura, me armë zjarri ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, N.B., 27 vjeçe, dhe vëllain e saj, E.B., 31 vjeç.

Po ashtu, i dyshuari dyshohet se ka plagosur rëndë djalin e xhaxhait të bashkëshortes së tij, M.B., 48 vjeç, i cili po trajtohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), për shkak të plagëve të marra.

Rasti është raportuar në Polici më 9 tetor 2026, rreth orës 14:30.

Prokuroria ka bërë të ditur se në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipet përkatëse policore dhe prokurori i shtetit, ndërsa janë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e rastit.

Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes është sekuestruar një pistoletë e markës “Beretta”, me leje të skaduar, me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale. Gjithashtu, janë sekuestruar prova të tjera materiale.

Sipas Prokurorisë, janë kryer kontrolle edhe në tri lokacione që lidhen me pronat e të dyshuarit, ku janë sekuestruar prova të tjera materiale.

Në komunikatë theksohet se i dyshuari nuk ka të kaluar kriminale dhe se ndaj tij nuk ka pasur raste të raportuara për dhunë në familje.

Prokuroria Themelore në Gjilan, në koordinim me Policinë e Kosovës, ka bërë të ditur se do të vazhdojë me veprimet hetimore me qëllim të ndriçimit të plotë të rrethanave të këtij rasti të rëndë./Lajmi.net/