Nunez i pakënaqur me veten: Nuk mendoj se po luaj mirë momentalisht

Sulmuesi i Liverpoolit, Darwin Nunez e ka pranuar se po e gjen të vështirë të adaptohet në sezonin e tij të parë në Premier Ligë, por po shpreson ta kopjojë Luis Suarez dhe të shpërthejë me gola në të ardhmen. Nunez ka shënuar 10 gola në 25 ndeshje që prej kalimit të tij nga Benfica…

Sport

03/02/2023 23:34

Sulmuesi i Liverpoolit, Darwin Nunez e ka pranuar se po e gjen të vështirë të adaptohet në sezonin e tij të parë në Premier Ligë, por po shpreson ta kopjojë Luis Suarez dhe të shpërthejë me gola në të ardhmen.

Nunez ka shënuar 10 gola në 25 ndeshje që prej kalimit të tij nga Benfica te Liverpooli gjatë verës së kaluar, transmeton lajmi.net.

Uruguaiani vazhdimisht ka krijuar probleme për mbrojtjen kundërshtare, por po përballet me kritika për finalizimin e tij dhe shanset e humbura.

Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp vazhdimisht e ka përkrahur Nunezin, edhe pse 23 vjeçari ka filluar katër ndeshjet e fundit me klubin nga banka rezervë.

Në një intervistë me “Sky Sports”, Nunez e ka pranuar se ai ende është duke iu adaptuar fizikut të Premier Ligës dhe e konfirmoi këshillën e Kloppit për të qëndruar i qetë kur i shënon kundërshtarit.

“Nuk e mendoj se po luaj mirë momentalisht, por unë gjithmonë dua që të përmirësohem. Mundohem të përmirësohem çdo ditë. Klopp e di se fuqia ime është shpejtësia, vrapimi nëpër hapësira. Gjithashtu, ai më këshillon që të jem më i qetë kur luaj, dhe se më duhet të lëviz më shumë”, tha Nunez.

“Ai më thotë se mua më nevojitet ajo, dhe se unë jam një lojtar me shumë kualitet. Kështu që, kjo është ajo që ai kërkon nga unë, dhe sigurisht, të shënoj gola. Ai më ka thënë se duhet të jem i qetë në ndeshje kur vjen puna për të finalizuar aksionin. Ai dëshiron që unë të zgjas një sekondë më shumë, sepse nëse gjuaj me zemërim, ose nxitoj, atëherë do të shkojë gjithmonë keq. Ai më kërkon të bëj një sekondë shtesë, me qetësi dhe unë do të shënoj”, shtoi më tej ylli uruguaian.

Kujtojmë që Nunez kaloi nga Benfica në Liverpool gjatë afatit të verës./Lajmi.net/