“Nuk rrëzohet qeveria Haradinaj me inate, o Avdullahu i LDK-së”

Deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu, e ka quajtur tendencë të paturp, kritikën e Avdullah Hotit të LDK-së ndaj Qeverisë së Kosovës.

Lajme

19/12/2017 20:51

Ajo me anë të një shkrimi të publikuar në rrjetin social “Facebook” e ka quajtur Hotin, “kontabilist falimentues”, i cili, sipas saj, e ka manipuluar opinionin se kinse Brukseli, përkatësisht Bashkimi Evropian po e kthen kriterin për luftimin e korrupcionit si kusht për liberalizimin e vizave,kusht të cilin e paskan tërhequr gjatë qeverisjes Mustafa.

Haxhiu ka kërkuar nga Hoti që t’u tregojë qytetarëve se ‘kush në të vërtetë ka kërkuar nga BE-ja që në kriteret për liberalizmin e vizave të futet edhe ratifikimi i demarkacionit me MZ.’, përcjellë GazetaBlic.

Shkrimin e saj Haxhiu e ka përfunduar duke shkruar: “Nuk rrëzohet bjeshka me inate o Avdullahu i LDK-së. E besa, as Qeveria Haradinaj !”

Ky është shkrimi i saj i plotë i publikuar në llogarinë e saj në “Facebook:

Avdullah Hoti i LDK-së ,”kontabilisti falimentues” i Isa Mustafës e paska kritikuar Qeverinë e Kosovës të udhëhequr nga Ramush Haradinaj me tendencë të paturp, duke manipuluar opinionin se kinse Brukseli, përkatësisht Bashkimi Evropian po e kthen kriterin për luftimin e korrupcionit si kusht për liberalizimin e vizave,kusht të cilin e paskan tërhekur gjatë qeverisjes Mustafa.

E neveritshme!…

Po kur ka ndodhur një gjë e tillë ,na trego o Avdullah,tregoju qytetarëve; datën,muajin dhe vitin.

Tregoju gjithashtu qytetarëve ,se kush në të vërtetë ka kërkuar nga BE-ja që në kriteret për liberalizmin e vizave të futet edhe ratifikimi i demarkacionit me MZ.

Nuk rrëzohet bjeshka me inate o Avdullahu i LDK-së. E besa, as Qeveria Haradinaj !