“Nuk mund të ketë marrëveshje Kosovë-Serbi, pa zgjidhjen e problemit të shqiptarëve në Luginë”

Kryetari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, ka ripërsëritur qëndrimin zyrtar të Luginës së Preshevës në  lidhje me dialogun Kosovë-Serbi.

Lajme

12/08/2019 20:04

Kryetari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, në një intervistë dhënë për lajmi.net, ka thënë se nuk mund të ketë marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë pa zgjidhjen e problemit të shqiptarëve në Luginë të Preshevës.

Në këtë intervistë Kamberi po ashtu ka folur edhe për largimin e shqiptarëve nga listat zgjedhore, problem ky që është intensifikuar më shumë kohët e fundit.

Ai ka thënë se për këtë janë ankuar edhe në institucionet ndërkombëtare dhe serbe po ashtu, mirëpo siç u shpreh ai, do të ankohen edhe në Gjykatën e Strazburgut.

Sa i përket çështjes së bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën, Kamberi në këtë intervistë ka thënë se vullneti i shqiptarëve të Luginës për bashkimin me Kosovën nuk ndryshon.

Intervista e plotë:

Lajmi.net: Z.Kamberi jemi duke e parë që kohëve të fundit në Luginë autoritetet serbe janë duke e bërë çregjistrimin. Sa shqiptarë janë hequr nga lista dhe në cilat vende apo fshatra ka më së shumti?

Shaip Kamberi: Procesi i pasivizimit të vendbanimeve të shqiptarëve në Luginë të Preshevës, edhe pse ka filluar vite më herët, kohët e fundit është intensifikuar edhe më tepër. Veprime më intensive të pasivizimit kemi në Medvegjë, komunë kjo në të cilën largimi faktik i shqiptarëve është kryer menjëherë pas përfundimit të luftës në Kosovë, kurse tash procesi i pasivizimit po tenton ta legjitimojë atë gjendje. Në Bujanoc edhe Preshevë, edhe pse ka raste të shumta të pasivizimit, ky proces është me intensitet më të ulët. Por, pas kësaj po shihet një tendencë e hapur e qeveritarëve serb që përmes këtyre proceseve të ndryshojnë në mënyrë artificiale strukturën e popullsisë në këtë komunë. Sipas nesh ky është një proces kundërligjorë dhe për këtë kemi njoftuar gjithë mekanizmat ndërkombëtare por, ankesat dhe vërejtjet tona kanë shkuar edhe në adresë të qeverisë serbe. Aq më tepër që pasivizimi i vendbanimit, aktualisht, po shoqërohet edhe me shlyerjen nga regjistri zgjedhorë. Aty këtu ka raste të shlyerjes edhe të serbëve dhe romëve në Bujanoc p.sh., por këto janë raste me numër të vogël. Ne po presim reagimin e faktorit ndërkombëtarë për të parandaluar Serbinë të vazhdojë me këtë proces.

Lajmi.net: Çfarë arsyetimi kanë dhënë autoritetet serbe për këto veprime?

Shaip Kamberi: Arsyetimi i thjeshtë i autoriteteve serbe  është se po veprojnë në bazë të dispozitave të ligjit për vendbanimin, por edhe bazuar në këtë ligj, sipas interpretimit tonë, Serbia po bën shkelje të të drejtave të individët. Ajo që duhet të ndodhë se krahas ankesave në nivel politik që vazhdimisht po shkojnë, janë edhe vetë qytetarët e goditur ata që duhet të padisin shtetin për këtë diskriminim, sepse kemi të bëjmë me të drejta individuale. Mjerisht numri i padive të qytetarëve në drejtim të shtetit mund të jetë fare simbolik në krahasim me rastet e ndodhura.

Lajmi.net: A janë në kundërshtim me kushtetutën dhe ligjet serbe heqja e qytetarëve të saj nga lista?

Shaip Kamberi: Besoj se po, veçanërisht largimi i qytetarëve nga regjistri zgjedhor, i cili për mbarë territorin e Serbisë është unik, nuk mund të ndodhë derisa individi ka shtetësinë e Serbisë. Pra këto janë raste që duhet drejtuar në instancat gjyqësore e mandej sipas nevojës edhe në Gjykatën e Strazburgut.

Lajmi.net: Z.Kamberi, e dimë që keni pasur konsultime të vazhdueshme me autoritetet e Kosovës në lidhje me përfshirjen e përfaqësuesve të Luginës në dialogun me Serbinë. Çfarë është bërë deri më tani?

Shaip Kamberi: Asgjë konkret sepse edhe vet dialogu Kosovë –Serbi është ndërprerë. Ne presim një mbështetje shumë më të fuqishme në vazhdimin e dialogut dhe konsiderojmë se nuk mund të ketë marrëveshje të drejtë  me Serbinë nëse nuk zgjidhet edhe problem i pozitës së shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Këtë e kemi thënë edhe në Prishtinë, edhe në Beograd dhe gjithë faktorit ndërkombëtar.

Lajmi.net: Keni pasur takime edhe me kongresmenin amerikan Eliot Engel. A ka shprehur gatishmërinë ai që t’iu dalë në ndihmë shqiptarëve të Luginës?

Shaip Kamberi: Po, me kongresistin Eliot Engel, jam takuar në Beograd me ç’rast ka biseduar edhe për pozitën e shqiptarëve në Luginë të Preshevës dhe për domosdoshmërinë e inkuadrimit të kësaj teme në vazhdimin e bisedimeve Kosovë-Serbi. Z. Engel është interesuar për gjendjen në Luginë të Preshevës dhe e ka çmuar idenë e përfshirjes së Luginës së Preshevës në bisedimet Kosovë -Serbi.

Lajmi.net: Në lidhje me korrigjimin e kufijve – shkëmbimin e territoreve. Dihet se shqiptarët e Luginës qysh para luftës me Referendum e kanë kërkuar bashkimin me Kosovën. Tani cili është vullneti i qytetarëve dhe vullneti politik për bashkim me Kosovën?

Shaip Kamberi: Vullneti i shqiptarëve në Luginë të Preshevës për idenë e bashkimit nuk ndryshon. Shumica absolute e shohin këtë zgjidhje si shpëtim të vetëm  pas dështimeve të Serbisë për të avancuar të drejtat e tona. Megjithatë, problemi qëndron se as në Prishtinë nuk ka një konsensus politik për këtë ide dhe në nuk dëshirojmë që Lugina e Preshevës të shërbejë mollë sherri mes partive politike në Kosovë. Por, ajo që ne besojmë e kërkojmë është që na vazhdimin e bisedimeve me Serbinë, përfundimisht, Kosova ta shtrojë edhe temën e pozitës së shqiptarëve të Luginës së Preshevës për të cilën edhe duhet të gjendet zgjidhje.

Lajmi.net: Z.Kamberi a keni bërë ndonjë përpjekje që të bëheni bashkë të gjitha partitë në Bujanoc dhe të hyni bashkërisht në zgjedhje në mënyrë që të jetë shumica shqiptare në qeverisje? – Nëse jo, pse?

Shaip Kamberi: Po vet ekzistimi i shumë partive politike imponon daljen me më shumë lista zgjedhore. Sa i përket zgjedhjeve lokale dalja me më shumë lista, p.sh., në Bujanoc, nuk rrezikon mundësinë e shqiptarëve për ta qeverisur këtë komunë. Kjo u dëshmua disa herë në zgjedhje (2001, 2006, 2008, 2012, 2016), por, ka ekzistuar nevoja e koordinimit të përbashkët për të dalë me një listë në zgjedhjet parlamentare e cila mjerisht nuk ka ndodhur për shkak të qëndrimit të disa partive që këto zgjedhje t’i bojkotojnë. Në zgjedhjet e ardhshme, varësisht nga arritja eventuale e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi dhe varësisht se çka do të sjellë ajo marrëveshje për Luginën e Preshevës, ideja e paraqitjes me një listë në zgjedhjet parlamentare do të imponohet si domosdoshmëri.

Lajmi.net: A mendoni se nëse do të ishin bërë të gjitha partitë politike ndikimi i shqiptarëve do të ishte më i fuqishëm?

Shaip Kamberi: Në të gjitha mandatet e deritashme të zgjedhjeve parlamentare ne kemi arritur të kemi një apo dy deputetë, kjo për shkak të bojkotit të këtyre zgjedhjeve të shumicës së partive shqiptare. Paraqitja me një listë të përbashkët sigurisht që faktorizon edhe më tepër shqiptarët dhe krijon mundësinë të fitojmë 3 e më tepër deputetë që do të faktorizonte edhe rolin tonë në Parlament.

Lajmi.net: Tani dihet është muaji kur bashkatdhetarët vijnë për pushime në Luginë. Çfarë aktivitete kulturore-artistike ka përgatitur komuna e Bujanocit?

Shaip Kamberi: Është viti i tretë me radhë që komuna e Bujanocit organizon aktivitete kulturore për nder të prezencës së mërgatës tonë në këto muajt e verës. Ne kemi institucionalizuar 1 Gushtin si Ditën e diasporës së Bujanocit edhe për faktin se numri më i madh i bashkatdhetarëve tanë jetojnë e punojnë në Zvicër. Pra, edhe këtë vit më 1 gusht ne patëm aktivitete të shumta për ndër të mërgatës tonë. /Lajmi.net/