Nuk lëvizin nga pozicioni

Këshilltari i Asamblesë Komunale të Mitrovicës së Veriut, Emir Azemi, thotë se këshilltarët shqiptarë dhe ata boshnjakë nuk do të marrin pjesë në seancën inauguruese nëse nuk respektohen ligjet e Republikës së Kosovës.

10/01/2014 13:45

Komuniteti shqiptar dhe ai boshnjak në veri të Mitrovicës janë të vendosur që mos të marrin pjesë në seancat inauguruese të Kuvendeve Komunale në Veri të cilat pritet të mbahen sot në mbrëmje.

Në një prononcim për lajmi.net, Emir Azemi, Këshilltar i PDK`së  në Asamblenë Komunale të Mitrovicës së Veriut, ka thënë se këshilltarët shqiptarë dhe boshnjakë nuk do të marrin pjesë në seancat ku nuk respektohen ligjet e Republikës së Kosovës.

“Mbrëmë pas orës 19 të gjithë delegatët jo serb të katër komunave- dhjetë shqiptarë dhe dy boshnjakë- kemi mbajtur një takim urgjent pasi që ftesat na kanë ardhur rreth orës 19. Ftesat kanë qenë tërësisht  në kundërshtim ligjin mbi formimin e organeve komunale dhe si të tilla ne nuk i kemi pranuar”.

“Kryetarët nuk kanë pasur të drejtë ta thirrin, inaugurimin e Kuvendeve Komunale ne shqiptarët dhe boshnjakët kemi marrë një vendim mbrëmë që të mos marrim pjesë dhe do t`i bojkotojmë këto seanca që mund të mbahen eventualisht sot”.

“Ne nuk do të marrim pjesë në këto séance ku nuk respektohen ligjet e institucioneve të Kosovës por njëkohësisht mund të merren edhe vendime antikushtetuese”.

“Vendimi ynë është vendim i drejtë është vendim i urtë dhe si i tillë do të mbetet në fuqi dhe nuk ka kompromis për këtë çështje se a e humbim mandatin apo jo”, tha Azemi.