“Nuk ka burg që mund ta ndalë”, djali i Fadil Fazliut me mesazh mbështetës për të atin pas aktgjykimit në Hagë

Fahri Fazliu i ri, djali i Fadil Fazliut, ka reaguar pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, në rastin “Thaçi 2”, ku babai i tij u dënua me 12 muaj burgim për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Fahriu ka shprehur mbështetjen dhe krenarinë për të…

Lajme

17/11/2026 13:05

Fahri Fazliu i ri, djali i Fadil Fazliut, ka reaguar pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, në rastin “Thaçi 2”, ku babai i tij u dënua me 12 muaj burgim për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Fahriu ka shprehur mbështetjen dhe krenarinë për të atin, duke e cilësuar atë si një njeri që mbetet i palëkundur në idealet e tij, pavarësisht sfidave dhe dënimit, transmeton lajmi.net.

“Nuk ka burg që mund ta ndalë një njeri që beson në idealet e tij dhe qëndron i palëkundur në rrugën e atdheut, për të cilin ka sakrifikuar gjithçka”, ka shkruar ai.

Në reagimin e tij, Fahriu ka theksuar se historia i ruan me nder ata që mbeten besnikë ndaj idealeve të tyre dhe përballojnë sfidat me dinjitet.

Postimin e ka shoqëruar edhe me një fotografi me të atin, ndërsa e ka përmbyllur me mesazhin në mbështetje të tij: “UÇK, dje, sot dhe përgjithmonë! Respekt dhe krenari gjithmonë, bablok!”

Ndryshe, Dhomat e Specializuara e shpallën sot Fadil Fazliun fajtor për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe për ndihmë në mosbindje ndaj gjykatës. Ai u dënua me 12 muaj burgim, por, për shkak të kohës së kaluar në paraburgim, dënimi u konsiderua i vuajtur dhe ai u lirua./lajmi.net/