“Nuk është anuluar”, raportohet se ZRRE-ja mohon të jetë pezulluar vendimi për rrymën nga Gjykata Komerciale
Sot, avokatja Blinera Osmani bëri të ditur se Gjykata Komerciale e Kosovës, Dhomat e Shkallës së Parë ka marrë vendim që të pezullojë vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji për daljen në treg të lirë për bizneset. Megjithatë, sipas burimeve të brendshme të KosovaPress brenda Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), ky vendim i…

Lajme
Sot, avokatja Blinera Osmani bëri të ditur se Gjykata Komerciale e Kosovës, Dhomat e Shkallës së Parë ka marrë vendim që të pezullojë vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji për daljen në treg të lirë për bizneset.
Megjithatë, sipas burimeve të brendshme të KosovaPress brenda Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), ky vendim i Gjykatës Komerciale të publikuar sot nga avokatja Osmani, nuk e shfuqizon vendimin e tërë të Rregullatorit për daljen e bizneseve në treg të hapur. Sipas burimeve tona në ZRRE, ky vendim është për një rast individual (biznes), nuk është i përgjithshëm.
“Vendimi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) nuk është shfuqizuar i tëri nga Gjykata Komerciale. Vendimi i Komerciales është për një rast individual”, kështu bëjnë të ditur burime të KP brenda ZRRE-së.
Avokatja Blinera Osmani ka shkruar në Facebook se më 29 korrik 2025, Gjykata Komerciale e Kosovës, Dhomat e Shkallës së Parë, përmes Aktgjykimit KA.nr.301/25, ka marrë një vendim të qartë dhe detyrues, duke: Anuluar pikën IV të Vendimit të ZRrE-së nr.275/24, datë 05.04.2024; Anuluar tërësisht Njoftimin e ZRrE-së të datës 12.03.2025 për daljen në treg të lirë, si të kundërligjshëm, Pezulluar në tërësi zbatimin e të gjitha këtyre vendimeve deri në një vendim përfundimtar të gjykatës; Kjo do të thotë se për të gjithë konsumatorët vendimi për daljen në treg të lirë nuk mund të zbatohet më; Si dhe ata duhet të rikthehen menjëherë në tregun universal, me furnizim të sigurt dhe me tarifa të rregulluara, ashtu siç ishin para datës 1 qershor 2025.
“Vendimi është i zbatueshëm menjëherë dhe prodhon efekt të drejtpërdrejtë juridik. U bëjmë thirrje ZRrE-së dhe të gjithë operatorëve të tregut të energjisë që të respektojnë dhe zbatojnë pa vonesë këtë vendim gjyqësor”, thuhet në njoftimin e saj në Facebook.
Ndërsa, sot bizneset anëtare të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës kanë paralajmëruar veprime të ashpra nëse ZRRE nuk tërhiqet nga vendimi për liberalizimin e tregut të energjisë.
Bizneset vendore kanë shprehur shqetësim të thellë për çështjen e liberalizimit të tregut energjetik, i cili sipas tyre rrezikon rëndë stabilitetin e tyre financiar dhe vetë ekzistencën e shumë kompanive në vend, transmeton KosovaPress.
Dhoma e Tregtisë ka paralajmëruar se përgjegjësia e plotë për çdo pasojë të kësaj krize bie mbi ZRRE-në, duke kërkuar pezullimin e menjëhershëm të vendimit.
Edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna i është drejtuar me një letër-kërkesë publike të parës së shtetit, Vjosa Osmani, kryeministrit në detyrë, Albin Kurti dhe kryetarit të Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahut, që të pezullojnë vendimin e ZRRE për daljen e bizneseve në treg të hapur energjetik.
Në këtë letër me mbishkrimin e kryetarit Rafuna, është quajtur si thirrja e fundit për të ndaluar siç thuhet “një veprim arbitrar që po e dëmton rëndë ekonominë e Kosovës”.
Në anën tjetër Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) rithekson se procesi i hapjes së tregut të energjisë elektrike është në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi, në mënyrë transparente dhe të paanshme, duke respektuar të gjitha standardet procedurale dhe materiale. Madje, sipas ZRRE-së, nga data e nesërme pasojnë ndërprerjet pasi furnizimi i garantuar përmes FMF nuk do të jetë më i vlefshëm ligjërisht.