Nostalgjia për “limenka” dhe Fanta

Kohët e fundit është tërhequr vëmendje e madhe për pijen freskuese Fanta. Kjo pije me shije portokalli, për shkaqe të stereotipeve nuk shërbehet në disa nga lokalet më të frekuentuara të Prishtinës. Kjo për faktin se po kërkove pije të tillë, cilësohesh si jo urban, gjë e cila edhe ka ngjallur debat në rrjetet sociale.

Fun

19/01/2016 15:05

Por a kanë ekzistuar këto stereotipe para luftës së fundit në Kosovës dhe cila është nostalgjia e shoqërisë nga vitet e ‘90-ta për këto pije, Fanta, Coca-Cola, Sprite, etj.

Deri në vitet e ’90-ta në komunën e Lipjanit, ka funksionuar fabrika e licencuar për mbushjen e Coca-Colas. Madje gjatë kësaj kohe, nga kjo fabrikë është furnizuar e gjithë Jugosllavia, por edhe rajoni, transmeton lajmi.net.

Në këtë fabrikë ka hyrë për herë të parë në përdorim në Kosovë kanaçja e aluminit. Në fakt ky ambalazh në Kosovë është njohur si “limenka” nga gjuha serbo-kroate.

Por ky emërtim ka pësuar ndryshime në diskursin e shoqërisë, veçanërisht në Prishtinë ku “limenka” është aluduar në Coca-Cola. Ndërkaq pijet e tjera janë njohur me emrin e tyre.

Një gjë e tillë më së shpeshti është hasur në tregjet e qyteteve, ku shitësit me karrocat e mbushura me akull e pije thërrisnin “Hajde limenka, Fanta, Sprajt”.