Një test i shpejtë në Gjermani disa euro ndërsa në Shqipëri po i njëjti mbi 100 euro

Drejtor i Shëndetit dhe Inovacionit në Frankfurt, mjeku Erion Dasho foli rreth kufizimit të pjesshëm që po ndodh në Gjermani.

Lajme

29/10/2020 08:58

Pavarësisht shifrave që nuk duket se janë alarmante dhe protokollit të sigurisë që zbatohet me përpikmëri nga qytetarët gjermanë, rritja e numrit të të infektuarve javëve të fundit ka sjellë vendimin për mbylljen.

Sa i përket situatës në spitale Erion Dasho tha se sistemi shëndetësor në Gjermani i referohet kapaciteteve spitalore dhe për këtë arsye nuk ka pasur ndryshime shqetësuese.

Ndër të tjera ai theksoi se Gjermania ka numrin më të lartë të shtretërve dhe të shtretërve reanimator për banorë në Europë.

“Në këto kushte megjithëse rritja e rasteve është e lartë, shtretërit spitalorë janë ende të lirë, madje në atë nivel sa Gjermania i ka ofruar ndihmë Belgjikës, Hollandës apo Republikës Çeke për të pranuar pacientë nga këto shtete nëse do të jetë e nevojshme,” – tha Dasho për euronews.al.

Ndërkaq mjeku shprehu shqetësimin për situatën e pandemisë në Shqipëri ku qytetarët po i marrin vetë përsipër kostot e COVID-19.

Sipas tij shqiptarët janë duke paguar shumë për testet në institucionet private, për trajtimin e infeksionit dhe madje po paguajnë për t’u trajtuar në shtëpi njësoj siç do të mund të trajtoheshin në spital ndërkohë që kjo është jashtë çdo praktike mjekësore.

“Gjermania ka futur tani në përdorim edhe testet e shpejta të cilat janë shumë të lira, testet që në Gjermani kushtojnë disa euro mua më vijnë informacione nga Shqipëria që i njëjti test po ofrohet mbi 100 euro. Është kriminale,” – tha Erion Dasho në fjalën e tij.

Së fundmi mjeku apeloi për testimet në Shqipëri të cilat duhet të shtohen në mënyrë që të parandalohet përhapja në masë e virusit.