Një rast i sëmundjeve infektive në gjedhet e një fermeri në Lubishtë të Vitisë, 30 ditë kohë që ato të eliminohen
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe AUV, ka njoftuar se është konfirmuar një rast i sëmundjeve infektive te gjedhet, saktësisht Bruceloza dhe Tuberkulozi. MBPZhR ka njoftuar se rasti i parë është identifikuar me 3 mars 2026, tek një fermer në fshatin Lubishtë, Komuna e Vitisë. “Në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe udhëzimin…
Lajme
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe AUV, ka njoftuar se është konfirmuar një rast i sëmundjeve infektive te gjedhet, saktësisht Bruceloza dhe Tuberkulozi.
MBPZhR ka njoftuar se rasti i parë është identifikuar me 3 mars 2026, tek një fermer në fshatin Lubishtë, Komuna e Vitisë.
“Në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe udhëzimin administrativ përkatës, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës (AUV) është duke vepruar brenda afateve ligjore të përcaktuara për ndërmarrjen e masave përkatëse, përfshirë edhe procesin e asgjësimit të kafshëve të infektuara”, thuhet në njoftim.
Ministria e Bujqësisë ka njoftuar se sipas dispozitave ligjore, eliminimi i kafshëve të konfirmuara me këto sëmundje realizohet brenda një afati deri në 30 ditë nga data e konfirmimit dhe se në këtë kuadër, të gjitha veprimet institucionale janë duke u zhvilluar në përputhje të plotë me këtë afat kohor, duke garantuar menaxhim të kontrolluar dhe të sigurt të situatës.
“Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës (AUV), mbeten të përkushtuara në zbatimin e plotë të masave ligjore dhe profesionale për parandalimin dhe kontrollin e këtyre sëmundjeve, si dhe mbeten të përkushtuara në ruajtjen e shëndetit publik dhe garantimin e sigurisë ushqimore në vend. Njëkohësisht, u bëjmë thirrje të gjithë fermerëve dhe qytetarëve që të bashkëpunojnë me autoritetet kompetente dhe të raportojnë çdo dyshim për raste të ngjashme”, thuhet në njoftim. /Lajmi.net/