Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit për krime lufte në Matiçan të Prishtinës
Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh të dyshuarit Zoran Stankoviq, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “krime lufte kundër popullsisë civile”. Lajmi është konfirmuar për lajmi.net nga zëdhënësja e kësaj gjykate, Mirlinda Gashi. Sipas autoriteteve, i…
Lajme
Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh të dyshuarit Zoran Stankoviq, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “krime lufte kundër popullsisë civile”.
Lajmi është konfirmuar për lajmi.net nga zëdhënësja e kësaj gjykate, Mirlinda Gashi.
Sipas autoriteteve, i dyshuari Z.S. dyshohet se gjatë viteve 1998-1999, si pjesë e një grupi paramilitar të forcave serbe, ka kryer krime lufte në fshatin Matiçan, në Komunën e Prishtinës.
Në njoftimin e Prokurorisë, të bërë në kohën e ndalimit të tij, thuhej se i dyshuari përfshihet në veprime që lidhen me krime kundër popullsisë civile gjatë periudhës së luftës në Kosovë.
“I pandehuri Z.S., si pjesë e një grupi paramilitar të forcave serbe, dyshohet se ka kryer krime lufte në fshatin Matiçan, Komuna e Prishtinës gjatë periudhës 1998-1999″, thuhej në njoftim.
Gjykata ka vlerësuar se ekzistojnë kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit, ndërsa hetimet për rastin pritet të vazhdojnë në ditët në vijim, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. /Lajmi.net/