​Qeveria shuan Ndërmarrjen e Re Energjetike, miraton sërish marrëveshjen me OPEC

Qeveria e Kosovës ka miratuar sërish marrëveshjen ndërkombëtare me Fondin Zhvillimor OPEC, pak ditë pasi e njëjta dështoi të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës. Ekzekutivi në mbledhjen e sotme mori vendim që të shpërbëjë Ndërmarrjen e Re Energjetike të Kosovës, e cila ishte themeluar për të menaxhuar kontratën e ndërtimit të termocentralit “Kosova e Re”…

Lajme

21/05/2024 12:05

Qeveria e Kosovës ka miratuar sërish marrëveshjen ndërkombëtare me Fondin Zhvillimor OPEC, pak ditë pasi e njëjta dështoi të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës.

Ekzekutivi në mbledhjen e sotme mori vendim që të shpërbëjë Ndërmarrjen e Re Energjetike të Kosovës, e cila ishte themeluar për të menaxhuar kontratën e ndërtimit të termocentralit “Kosova e Re” nga “Contour Global”, por ky projekt është anuluar që nga marsi i vitit 2020. Krahas kësaj, u morën disa vendime për shpronësime, përfshirë atë për konservimin, restaurimin dhe ndërtimin e kompleksit memorial Masakra e Reçakut.

Ministri i Financave, Punës dhe Trasnfereve, Hekruan Murati tregoi sipas tij domosdoshmërinë e ratifikimit të marrëveshjes me OPEC në Kuvend.

Ai tha se për të njëjtën marrëveshje janë thënë shumë të pavërteta, pasi sipas tij, përmes kësaj marrëveshje Kosova do të përfitonte rreth 40 milionë dollarë.

“Marrëveshja në fjalë është me Fondin OPEC për zhvillim ekonomik. Megjithatë kjo ka qenë e lidhur në kuadër të bashkëpunimit që kemi pasur me Bankën Botërore. Banka Botërore ka qenë udhëheqësi i procesit në kuadër të një pakete të reformave të politikave publike. Me rastin e realizimit kanë liruar mjete të cilat janë vënë Kosovës në dispozicion. Marrëveshja me Bankën Botërore ka qenë në vlerë 50 milionë euro. Ajo marrëveshje është nënshkruar, ratifikuar dhe tashmë mjetet Kosova i ka marrë. Kurse, pjesa e dytë që ka qenë me OPEC ka mbetur ende e padisbursuar pasi marrëveshja ende nuk është ratifikuar në Kuvend. Konsideroj se është e rëndësishme që të përmbyllet cikli i reformave që ka qenë dhe mjetet të disburosohen. Përveç se ka përfitime financiare, me kushte 20 vjet kthimi, bëhet fjalë edhe për rritjen dhe përforcimin e bashkëpunimit të Kosovës me të gjitha shtetet”, tha ai.

Qeveria, po ashtu miratoi nismën për lidhjen e marrëveshjes për sigurime sociale ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.

Ndërkaq, është shtyrë edhe për dy vite afati i zbatimit të marrëveshjes IPA me Bashkimin Evropian.