Nisin rrënimet në Ujman, Pacolli: Pas 6 objekteve pa leje, radha e Batllavës dhe Badovcit

Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit ka nisur rrënimin e 6 objekteve pa leje në zonën përreth Liqenit të Ujmanit. Ministrja e Mjedisit, Fitore Pacolli, ka bërë të ditur se bëhet fjalë për 4 veranda dhe 2 shtëpi të ndërtuara pa leje. Përmes një postimi në Facebook, Pacolli ka njoftuar se aksioni në Ujman vjen pas…

Lajme

20/11/2026 13:50

Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit ka nisur rrënimin e 6 objekteve pa leje në zonën përreth Liqenit të Ujmanit.

Ministrja e Mjedisit, Fitore Pacolli, ka bërë të ditur se bëhet fjalë për 4 veranda dhe 2 shtëpi të ndërtuara pa leje.

Përmes një postimi në Facebook, Pacolli ka njoftuar se aksioni në Ujman vjen pas rrënimit të ndërtimeve ilegale dhe pastrimit të zonës përreth Liqenit të Radoniqit shkruan KosovaPress.

“Po vazhdojmë me rrënimin e ndërtimeve pa leje në zonat ujore të liqeneve akumuluese. Pas rrënimit të të gjitha ndërtimeve ilegale dhe pastrimit të zonës përreth Liqenit të Radoniqit, po i kthehemi Ujmanit”, ka shkruar Pacolli.

Ajo ka paralajmëruar se aksionet për largimin e ndërtimeve pa leje do të vazhdojnë edhe në zonat përreth liqeneve të Batllavës dhe Badovcit.

“Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit ka nisur rrënimin e 6 objekteve pa leje në zonën përreth Liqenit të Ujmanit, prej tyre 4 veranda dhe 2 shtëpi. Pastaj, vazhdojmë edhe në Batllavë dhe Badovc”, ka deklaruar ministrja.

Pacolli ka theksuar se mbrojtja e liqeneve dhe burimeve ujore është përgjegjësi e përbashkët, duke paralajmëruar zbatim të ligjit ndaj ndërtimeve të paligjshme.

“Mbrojtja e liqeneve dhe burimeve tona ujore është përgjegjësi e përbashkët dhe nuk do të lejojmë ndërtime që cenojnë pasuritë tona natyrore. Asnjë ndërtim i paligjshëm në zonat përreth liqeneve nuk do të tolerohet. Ligji do të zbatohet pa përjashtim!”, ka përfunduar Pacolli.