Musliu-Shoshi ia kujton Kurtit trashëgiminë e Thaçit: Autostradat, shkollat, 108 njohjet dhe Pavarësia me buxhet më të vogël
Në kohën kur në Kuvendin e Kosovës po zhvillohej debati për Projektbuxhetin e vitit 2027, një deputete e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Musliu-Shoshi ka rikthyer në vëmendje qeverisjen e ish-kryeministrit Hashim Thaçi, duke e krahasuar atë me periudhën e qeverisjes së Albin Kurtit. Deputetja ka vënë përballë kohëzgjatjen e dy qeverisjeve, duke shkruar se…
Lajme
Në kohën kur në Kuvendin e Kosovës po zhvillohej debati për Projektbuxhetin e vitit 2027, një deputete e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Musliu-Shoshi ka rikthyer në vëmendje qeverisjen e ish-kryeministrit Hashim Thaçi, duke e krahasuar atë me periudhën e qeverisjes së Albin Kurtit.
Deputetja ka vënë përballë kohëzgjatjen e dy qeverisjeve, duke shkruar se Albin Kurti (LVV) ka pasur gjashtë vjet qeverisje, ndërsa Hashim Thaçi (PDK) gjashtë vjet e 11 muaj.
Ajo ka publikuar edhe një listë të projekteve dhe, siç i cilëson, arritjeve kryesore të qeverisjes së Thaçit.
“Me krenari ju prezantoj projektet dhe arritjet kryesore të qeverisjes së Hashim Thaçit. Me një buxhet më të vogël, Kosova ndërtoi institucione, investoi në infrastrukturë dhe forcoi pozitën e saj ndërkombëtare”, ka shkruar ajo.
Ndër projektet që ka përmendur janë ndërtimi i autostradave dhe rrugëve lokale e rajonale, ndërtimi dhe renovimi i dhjetëra shkollave, si dhe proceset e shtetndërtimit, përfshirë shpalljen e Pavarësisë, hyrjen në fuqi të Kushtetutës dhe themelimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Deputetja e PDK-së ka veçuar edhe sigurimin e 108 njohjeve ndërkombëtare, anëtarësimin e Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore, opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për shpalljen e Pavarësisë, si dhe pritjen në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë.
Postimi vjen në një kohë kur deputetët po ballafaqonin në Kuvend vlerësimet për rezultatet e qeverisjes dhe prioritetet buxhetore.
Gjatë debatit të 19 nëntorit për Projektbuxhetin e vitit 2027, i cili kap vlerën e 4.27 miliardë eurove, deputetët e opozitës kritikuan Qeverinë për realizimin e projekteve kapitale dhe mungesën e rezultateve konkrete. Ndërkaq, kryeministri Kurti prezantoi prioritetet e ekzekutivit për vitin e ardhshëm.
Projektbuxheti u miratua në parim pak para mesnatës, me 61 vota për.