Nis gjykimi i Sulltanit dhe të tjerëve

Ish-komandanti i UÇK-së, Sylejman Selimi, është bartur nga Qendra Klinike Universitare, ku tash e sa muaj gjendet i shtrirë, për në Gjykatën Themelore në veri të Mitrovicës, ku ndaj tij dhe të akuzuarve të tjerë, ka filluar gjykimi për krime lufte.

Lajme

15/04/2014 08:11

Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Selimi, i njohur gjatë luftës me nofkën Sulltani, akuzohet për krime lufte së bashku me Ismet Haxhën, Nexhat Qubrelin dhe Shefki Hysenni.

Të katër këta dyshohen se kanë kryer krime lufte gjatë luftës në Kosovë.

Të hënën në Gjykatën Themelore në Mitrovicë ka nisë procesi i rregullt gjyqësor në të cilën është lexuar aktakuza dhe është mbajtur pjesa hyrëse e seancës, raporton Tribuna.

Është vendosur që më 22 prill të vazhdojë seanca ku pritet të dëgjohen dëshmitarët e prokurorisë.

Këtë e ka konfirmuar për gazetën avokati, Mahmut Halimi, që në këtë rast mbron të akuzuarin Ismet Haxha.

“Të martën tjetër (22 prill) do të fillojë gjykimi ku pritet që të fillojë dëgjimi i dëshmitarëve të prokurorisë”, tha Halimi.

E dëshmitare kryesore në bazë të së cilave edhe është ngritur aktakuza janë dy motra nga Mitrovica e që në aktakuzë janë të koduara me shkronjat A dhe B.

Shefki Hyseni është njëri nga të akuzuarit për përdhunim, në aktakuzën e ngritur më 13 nëntor nga prokurori i EULEX-it, Maurizio Salustro.