Nikoliq: Serbia hap pas hapi drejt njohjes së Kosovës

Presidenti serb, Tomisllav Nikoliq deklaroi të hënën se Serbia "hap pas hapi" po bën gjëra që do ta sjellin deri në njohjen de fakto të pavarësisë së Kosovës, njoftoi shërbimi i shtypit i kabinetit të Presidencës. 

Lajme

29/12/2014 17:14

Në bisedë me Ambasadorin e Gjermanisë në Beograd, Heinz Wilhelm, Nikoliq ka thënë se anëtarësimi i Serbisë në BE është çështje ekzistenciale, por ka shprehur edhe besimin  se qytetarët e Serbisë më parë do të pranonin të jetojnë në varfri sesa të pranojnë që dikush në emër të tyre të njohë Kosovën.  

Ambasadori Wilhelm ka thënë se kërkesa për njohje të pavarësisë së Kosovës do të pamundësonte bisedimet e mëtutjeshme me Prishtinën, dhe se në këtë moment ky nuk është kusht, por askush nuk e di se çka do të ndodhë brenda 10 apo 15 vjetësh, thuhet në komunikatën e Presidencës serbe.

“Ju keni të drejtë kur thoni se në këtë moment askush nuk e kërkon njohjen  e Kosovës, por në ato floskula, ne hap pas hapi po bëjmë gjëra që do të sjellin deri në njohjen de fakto. Mua qytetarët nuk më kanë zgjedhur t’iu tregoj përralla, por ta them të vërtetën”, tha ai.

Takimi i Nikoliqit me ambasadorin gjerman erdhi pasi presidenti serb e kishte akuzuar Wilhelmin se e “ka tejkaluar kufirin e sjelljes së mirë”, pasi Wilhelm në mënyrë indirekte kishte thënë më parë se Nikoliq po gënjen.