Nikoliq i del në mbrojtje Dikoviqit

13:13 | 30 Janar 2015

Nikoliq pret në takim shefin e ushtrisë serbe, Lubisha Dikoviqin

Presidenti i Serbisë Tomislav Nikoliq i ka dal në mbrojtje shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë Lubisha Dikoviq, duke thënë se ky i fundit është një ushtarak i ndershëm dhe se sulmet ndaj tij kanë për qëllim të ulin kredibilitetin e Serbisë.

Dikoviq është përmendur në hulumtimet e Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH) si i përfshirë direkt në krime lufte në Kosovë.

Nikoliq e ka pritur gjeneralin serb vetëm një ditë pasi FDH në një konferencë për media ka bërë të ditur se posedojnë dëshmi se ushtaraku kryesor serb ka qenë i përfshirë në krime gjatë luftës së Kosovës, në fshatin Rezallë dhe Çikatovë, si dhe për fshehjen e trupave të viktimave në një varr masiv në Rashkë.

“Siç duket ekzistojnë disa grupe, të cilat nuk kanë interes që Serbia të jetë një shtet modern. Për këtë arsye ata dëshirojnë që me çdo çmim të krijojnë destabilitet në Serbie dhe ta kthejnë në kaosin nga i cili ka filluar të dal. Kësaj po i shërbejnë edhe sulmet ndaj disa institucioneve, e tani edhe ndaj vet Ushtrisë së Serbisë”, ka thënë Nikoliq, transmeton lajmi.net.