Ngritja në detyrë e gruas së tij në ministri të Industrisë, reagon Muja: Këto pretendime janë shpifje dhe dezinformim
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural i Kosovës, Armend Muja, ka reaguar ndaj një pretendimi se bashkëshortja e tij është emëruar në pozitë drejtuese për shkak të tij, duke e cilësuar atë si shpifje dhe dezinformim. Në reagimin e tij, Muja thekson se bashkëshortja e tij është pjesë e shërbimit civil që nga viti…
Lajme
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural i Kosovës, Armend Muja, ka reaguar ndaj një pretendimi se bashkëshortja e tij është emëruar në pozitë drejtuese për shkak të tij, duke e cilësuar atë si shpifje dhe dezinformim.
Në reagimin e tij, Muja thekson se bashkëshortja e tij është pjesë e shërbimit civil që nga viti 2014, përmes programit të Bashkimit Evropian “Young Cell Scheme”, shumë kohë para angazhimit të tij politik, raporton lajmi.net
Ai shton se ajo mban pozitën e Drejtoreshës së Divizionit që nga viti 2018 dhe, sipas tij, vetëm në raste të veçanta ka ushtruar përkohësisht detyra të ushtrueses së detyrës së drejtorit të departamentit kur pozita ka qenë vakante.
Postimi i tij i plotë:
Dje u përsërit një pretendim i vjetër, i pavërtetë: se “Armend Muja e ka bërë gruan e tij drejtoreshë”. Kjo është shpifje.
Faktet janë të thjeshta dhe të verifikueshme: bashkëshortja ime është në shërbim civil që nga viti 2014, përmes programit të Bashkimit Evropian “Young Cell Scheme”, shumë përpara çdo angazhimi tim politik. Ajo është Drejtore Divizioni që nga viti 2018 dhe vetëm në raste të caktuara, sipas ligjit, ka ushtruar përkohësisht detyrën e u.d. Drejtorit të Departamentit kur pozita ka qenë vakante. Nuk ka pasur asnjë ndërhyrje nga ana ime.
Narrativa që lidhet me “momentum politik” apo me “rritje të standardit të jetesës” nuk ka asnjë bazë faktike – është një përpjekje e qëllimshme për të krijuar perceptim të rremë dhe për të njollosur reputacionin tim përmes familjes sime.
Këto akuza nuk janë të reja. Janë ngritur edhe në vitin 2020, kur nuk kam qenë pjesë e politikës. Sot po riciklohen me të njëjtin qëllim: dezinformimin
E kuptoj interesin publik për zyrtarët, por ai nuk e justifikon shpifjen dhe shkeljen e standardeve minimale të gazetarisë. Ftoj këdo që ka dyshime ta verifikojë këtë çështje – e vërteta është e njëjtë dhe e qartë.
Si parim, nuk ndërhyj në karrierën e bashkëshortes sime dhe nuk kam lejuar që ajo të përfitojë nga pozita ime publike.
Shpifjet kanë pasoja. Nëse këto pretendime vazhdojnë, do të ndërmarr të gjitha veprimet ligjore të nevojshme./Lajmi.net/