“Shtrati me njolla, sapun e as faculeta nuk kishte ndërsa tualeti i hapur” – Një nënë rrëfen gjendjen e rëndë të Klinikës së Pediatrisë në QKUK
Një nënë ka ngritur shqetësime për kushtet dhe trajtimin në Klinikën e Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), përmes një postimi të gjatë në rrjetet sociale, pasi djali i saj dyvjeçar u shtrua për trajtim pas disa ditësh me të vjella dhe diarre. Përmes këtij postimi, ajo përshkruan përvojën që nga momenti i…
Lajme
Një nënë ka ngritur shqetësime për kushtet dhe trajtimin në Klinikën e Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), përmes një postimi të gjatë në rrjetet sociale, pasi djali i saj dyvjeçar u shtrua për trajtim pas disa ditësh me të vjella dhe diarre.
Përmes këtij postimi, ajo përshkruan përvojën që nga momenti i pranimit në repart, ku thotë se ka pasur pritje për t’u pranuar, vështirësi gjatë vendosjes së kanilës, mungesë të kushteve bazike higjienike dhe komunikim joprofesional nga një pjesë e stafit.
Sipas saj, fëmija është shpuar disa herë derisa iu vendos kanila, ndërsa më pas familjes iu kërkua të vendosej në një dhomë ku ishte edhe një fëmijë tjetër, duke i kërkuar që të shmangnin kontaktin që të mos ia bartin infeksionin pacientit tjetër, për shkak të mungesës së dhomave të lira.
Ajo thotë se është përballur edhe me mungesë çarçafësh, sapuni dhe mjeteve të tjera bazike higjienike, ndërsa ka kritikuar gjendjen e dhomave, dyshekëve dhe hapësirave sanitare në repart.
“Shtrati ku duhej të shtrihej fëmija ynë kishte njolla të shumta. Disa prej tyre dukeshin si gjak apo mbetje të vjetra biologjike. Nuk e di çfarë ishin. Më mirë të mos e dimë. Kërkuam çarçaf. Nuk kishte. Na e dha nëna e pacientit tjetër me të cilin po ndanim dhomën. Sapun? Nuk kishte. Faculeta, palloma apo mjete të tjera bazike higjienike?Aq më pak. Tualeti në korridor është i hapur për të gjithë. Bukfalisht i hapur.Sepse mungon privatësia elementare. Nuk ka dyer. Dhe jo, as aty nuk ka sapun. Në hapësirat sanitare gjen kosha të mëdhenj, rroba të grumbulluara dhe një vaskë që të bën të mendosh se higjiena është më shumë një koncept teorik sesa një praktikë spitalore. Muret janë të zhveshura e të dëmtuara. Dyshekët të njollosur. Pajisjet mbahen bashkë me lidhëse plastike, shirita dhe improvizime që do të ishin kreative në një punëtori shtëpiake, por bëhen disi më pak simpatike kur janë pjesë e një shtrati spitalor për fëmijë”, ka shkruar ajo në Facebook.
Nëna ka kritikuar edhe mënyrën e komunikimit me prindërit, duke treguar se një infermiere i kishte thënë se “një nënë duhet të jetë në gjendje të qëndrojë gjithë natën ulur në një karrige për fëmijën e saj”.
Në fund të reagimit, ajo rrëfen edhe një situatë gjatë largimit nga spitali, kur, sipas saj, pati vonesa dhe moskoordinim mes ndërrimeve të infermierëve për heqjen e kanilës së fëmijës.
“Per ironi, ndërkohë që po e shkruaja këtë status, mu desh t’i kërkoja infermieres të vinte t’ia hiqte kanilën Gjergjit. Më kërkoi të prisja 10-15 minuta, derisa të vinte ndërrimi tjetër, sepse ato “ishin veshur”. Prita. Rreth 15–20 minuta më vonë, takova infermieren e ndërrimit tjetër dhe e luta të vinte t’ia hiqte kanilën. U përgjigj me nervozizëm e plot arrogancë: “Pse nuk ua kërkove atyre dyjave të ndërrimit të mëparshëm, por më prite mua?””, ka shkruar ajo.
Duke e përmbyllur shkrimin me ironi, ajo shkruan se autori i veprës “Komedia Hyjnore”, Dante Alighieri, “nuk duhet gjykuar që Ferri kishte vetëm nëntë rrathë”, pasi, sipas saj, “thjesht nuk e kishte vizituar Pediatrinë e QKUK-së”.
Ajo ka publikuar edhe disa fotografi të shtratit dhe klinikës në përgjithësi, ku vërehen kushte shumë të rënda. /Lajmi.net/
Postimi i plotë: