Ngërçi në Kuvend – Punëtorët e RTK-së mund të mbesin pa pagat e korrikut nëse nuk konstituohet Kuvendi
Organizat që merren me të drejtat me gazetarëve, por edhe institucione të tjera ndërkombëtare, kanë ngritur alarmin lidhur me situatën financiare me të cilën po përballet transmetuesi i vetëm publik në Kosovë, Radio Televizioni i Kosovës (RTK). Punëtorët e RTK-së rrezikojnë të mbesin pa paga për muajin korrik dhe vetë puna e këtij institucioni rrezikohet…

Lajme
Organizat që merren me të drejtat me gazetarëve, por edhe institucione të tjera ndërkombëtare, kanë ngritur alarmin lidhur me situatën financiare me të cilën po përballet transmetuesi i vetëm publik në Kosovë, Radio Televizioni i Kosovës (RTK).
Punëtorët e RTK-së rrezikojnë të mbesin pa paga për muajin korrik dhe vetë puna e këtij institucioni rrezikohet për shkak të moskonsitituimit të Kuvendit të Kosovës dhe mungesës së themelimit të Komisionit parlamentar për buxhet, ka paralajmëruar transmetuesi.
Drejtori i Përgjithshëm i RTK-së, Hysen Hundozi, tha ditë më parë se po vazhdojnë përpjekjet për të gjetur një zgjidhje lidhur me alokimin e gjysmës së dytë të buxhetit të RTK-së, i cili është miratuar nga Kuvendi i Kosovës.
“Transmetuesi publik duhet të mbetet i pavarur dhe të funksionojë pa ndërprerje – edhe në kohë krizash politike e institucionale”, tha ai pas një takimi me Avokatin e Popullit, Naim Qelaj.
Lidhur me situatën financiare të RTK-së më 24 korrik ka reaguar edhe Bashkimi Evropian. Blloku evropian u ka bërë thirrje autoriteteve kompetente që të sigurojnë financim të qëndrueshëm dhe afatgjatë për RTK-në si dhe të mundësojnë funksionimin e papenguar të transmetuesit publik.
“Ne mbetemi të shqetësuar për vonesat e vazhdueshme, të cilat tashmë kanë pasoja konkrete”, tha BE-ja.
Shqetësim për situatën financiare të RTK-së ka shprehur edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.
“AGK-ja e njeh rolin e rëndësishëm që luan transmetuesi publik në skenën mediale të Kosovës, dhe në mungesë të Kuvendit funksional i bën thirrje Qeverisë së Kosovës, që të ndërmarrë hapat e nevojshëm për vazhdimin e financimit të RTK-së”, u tha në reagimin e AGK-së.
Për gjendjen e krijuar në RTK si pasojë e ngërçit politik, kanë reaguar edhe organizatat ndërkombëtare që mbrojnë të drejtat e gazetarëve.
Unioni Evropian i Transmetimeve (EBU), që është aleanca më e madhe në botë e transmetuesve publikë dhe që përfaqëson mbi 100 transmetues në më shumë se 56 vende, përmes një letre drejtuar institucioneve të Kosovës shprehu shqetësim për situatën e krijuar.
“E kuptojmë se konteksti politik aktual kufizon aftësinë e Kuvendit për të vepruar. Në këtë kuptim, RTK i është drejtuar zyrtarisht Qeverisë suaj, përfshirë Ministrinë e Financave, për ndërhyrje të menjëhershme institucionale dhe alokim të fondeve të nevojshme. Vendimi i Qeverisë për ta bërë këtë nuk do të krijonte precedent, pasi raste të ngjashme janë hasur në të kaluarën në rrethana të krahasueshme”, u tha në letrën e EBU-së.
Sipas EBU-së, nëse nuk veprohet nga 1 korriku RTK do të mbetet pa pjesën e dytë të buxhetit të saj vjetor për shkak të moskonstituimit të Kuvendit.
Ky union tha po ashtu se nëse RTK-ja nuk merr fondet e miratuara, transmetuesi nuk do të arrijë të përmbushë detyrimet ligjore dhe financiare.
“Kjo do të rezultonte në ndërprerjen e parë ndonjëherë të shërbimit për transmetuesin e vetëm publik në Kosovë. Një gjë e tillë do të kishte pasoja serioze për lirinë e medias, mbikëqyrjen demokratike dhe të drejtën e publikut për informacion të saktë dhe të pavarur. Kjo krizë është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me detyrimet ligjore të Kosovës dhe standardet evropiane”, tha EBU-ja.
Federata Evropiane e Gazetarëve tha se i bashkohet shqetësimit të ngritur nga AGK-ja lidhur me problemet financiare me të cilat përballet RTK-ja.
“Për muaj të tërë, RTK-ja është përballur me krizë të thellë financiare si rezultat i dështimit të qëllimshëm nga institucionet e Kosovës për të alokuar buxhetin e miratuar. Paralajmërimi se RTK-ja mund të mbetet pa mjete financiare brenda pak ditësh dhe që të mos jetë në gjendje të paguajë punëtorët për muajin korrik është shqetësues”, tha kjo federatë.
Drejtoresha e Federatës Evropiane të Gazetarëve, Maja Sever, tha po ashtu se shpreson që autoritetet e Kosovës do të ndërmarrin masa urgjente që të lejojnë punën e transmetuesit publik, në linjë me standardet evropiane “që kërkojnë garanci për financim afatgjatë, qeverisje të qëndrueshme dhe kushte të denja pune”.
Teksa kriza financiare me të cilën po përballet RTK-ja po vazhdon, të premten, deputetët do të tentojnë për herë të 52-të që ta konstituojnë përbërjen e re parlamentare, vetëm një ditë para se të skadojë afati 30-ditor i vendosur nga Gjykata Kushtetuese për themelimin e organit ligjvënës./Radio Evropa e Lirë/