Nga Vetëvendosje thonë se do të fitojnë me mbi 55%, PDK-ja nuk jep shifër derisa AAK-Nisma pretendojnë të kalohet 15 përqindëshi
Zgjedhjet e rregullta parlamentare të cilat do të mbahen më 9 shkurt, si dhe zgjedhjet lokale në 38 komuna të vendit, që pritet të organizohen në vjeshtë, do të jenë ndër ngjarjet kryesore në Kosovë përgjatë vitit 2025. Zgjedhjet parlamentare haptazi do të përcaktojnë fatin e ardhshëm të liderëve në skenën politike të vendit. E…
Lajme
Zgjedhjet e rregullta parlamentare të cilat do të mbahen më 9 shkurt, si dhe zgjedhjet lokale në 38 komuna të vendit, që pritet të organizohen në vjeshtë, do të jenë ndër ngjarjet kryesore në Kosovë përgjatë vitit 2025.
Zgjedhjet parlamentare haptazi do të përcaktojnë fatin e ardhshëm të liderëve në skenën politike të vendit.
E kur ka mbetur edhe një muaj larg këtyre zgjedhjeve, gara sa vjen e ashpërsohet. Madje nuk mungon as përdorimi i gjuhës së rënduar, thumbuese e shpesh herë ofenduese në mes zyrtarëve nga parti të ndryshme politike.
Premtime për investime, rritje të punësimit e ekonomisë, zhvillim e gjithçka tjetër do të dëgjohet tani nga kandidatët për një muaj rresht gjatë fushatës elektorale. E duke u afruar me qytetarët më tepër tani sa afron fushata, shumë prej pjesëtarëve të këtyre partive politike shprehen edhe të bindur në fitore.
Thuajse secila parti e nxjerrë veten fituese, e duke premtuar arritje të paimagjinueshme për vendin e qytetarët.
Mirëpo mbetet të shihet data 9 shkurt se kë do ta përcaktojnë qytetarët si udhëheqës për katër vitet e ardhshme.
Në lidhje me këtë për lajmi.net, ka folur deputeti i kuvendit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Mefail Bajqinovci, për të cilin fitorja e kësaj partie është e padiskutueshme.
Sipas tij Lëvizja Vetëvendosje pritet që të kalojë rezultatin e vitit 2021, duke arritur kështu mbi 50 për qind si parti e vetme.
“Lëvizja në bazë të parashikimeve tona apo edhe të opinionit në teren brenda dhe jashtë vendit tregon se ne do ta kalojmë rezultatin e vitit 2021 do të shkojmë dikun rreth 55% kjo është ajo që ne kemi por dhe të gjithë matjet dhe opinionet që i kemi në terren sakt lagje, qytet, mërgatë sillet aty rreth 55%”, ka thënë Bajqinovci.
Ndryshe ai është shprehur se deri më tani në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), janë pranuar mbi 100 mijë kërkesa për votim nga mërgata, ku thotë se 80 për qind e diasporës është me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV).
“Deri më tash mbi 100 mijë janë pranuar nga KQZ-ja prej tyre 80% janë të Lëvizjes vetëvendosje ku ju e keni pa edhe shqetësimin e partive politike në KQZ ku nuk kanë lejuar ende të shtyhet afati për regjistrim sepse ata e din që mërgata është me LVV-në me mbi 80% dhe besoj shumë që nga ky 100 mijë do të jenë 80 mijë vota të Lëvizjes Vetëvendosje”, thotë ai.
Po ashtu ai ka thënë se janë mbi 40 mijë qytetarë të cilët pritet të jenë prezent fizikisht në Kosovë për votuar më datë 9 shkurt.
“Do ti kemi mbi 40 mijë deri në 50 mijë qytetarët të Kosovës të cilët do të vinë në Kosovë fizikisht do të votojnë kemi informacione që janë blerë bileta me autobusë e aeroplan por do të vinë edhe me automjete të tyre në Kosovë me datë 6, 7, 8 dhe 9 shkurt”.
Deputeti i LVV-së, shprehet optimist sa i përket fitores pasi siç thotë ai 98 për qind e mërgatës do të jenë në Kosovë për kryeministrin Albin Kurti dhe jo për Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), apo Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).
“Numri sipas asaj që e shohim do të jetë do të jetë diku 150 mijë qytetarët të RKS që do të votojnë në ditën e zgjedhjeve nga mërgata dhe normalisht ata që vinë fizikisht janë mbi 98% vinë për Albin Kurtin sepse asnjë nuk vjen për LDK-në e PDK-në nga mërgata”, tha ai.
Në lidhje me një koalicion të mundshëm me ndonjë parti ai thotë se koalicioni i tyre i vetëm ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë me “Alternativën dhe Listën Guxo”, shkruan lajmi.net.
“Ne koalicion kemi pas dhe do të kemi me alternativën dhe me listën Guxo ndërsa nuk kemi me pas nevojë të kemi koalicion me partitë të cilat kanë funksionu 20 vjet në Republikën e Kosovës, deri në vitin 2020 andaj ne nuk do ta kemi problem për bërjen e qeverisë sepse siç e thashë edhe njëherë ne do ta bëjmë qeverinë vet me koalicionin qeverisës të cilin e kemi dhe do ti kemi 55% të votave”, ka thënë Bajqinovci.
Ndryshe nga Bajqinovci, deputeti i kuvendit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala nuk ka dhënë ndonjë përqindje të “hamendësuar”.
Por Shala shprehet i bindur në fitoren e kësaj partie pasi sipas tij kandidati për kryeministër nga kjo parti Bedri Hamza do të prijë në të gjitha nivelet qoftë në atë si lider apo si parti politike.
“Po ne nuk mund te flasim tash me përqindje sepse nuk e dimë sakt numrin e të interesuarve për pjesëmarrje në zgjedhje por jemi të sigurt se ne do të jemi fitues të kësaj gare elektorale dhe kandidati jonë për kryeministër do të jetë ai që do të prijë në të gjitha nivelet qoftë në atë si lider apo qoftë edhe si parti politike dhe ne jemi të parët në zgjedhjet e ardhshme më 9 shkurt”, ka thënë Shala.
Krahas kësaj ai ka thënë se është herët të flitet për numrin e pjesëmarrësve në zgjedhje, pasi siç ka thënë janë në fazën e parë të para fushatës.
“Ne do të bëjmë çfarë të jetë e mundur që qytetarët të informohen dhe ne jemi duke u përgatitur për ta shpalosur programin elektoral në fazën e dytë do të thotë zgjedhore. Pra në esencë ne do të mobilizohemi që kapacitetet e atyre që duan të bëjnë ndryshime të mëdha në të mirë të vendit dhe Republikës së Kosovës, të shtetit duhet të mbështesin PDK-në”, shprehet ndër të tjera ai.
Sipas tij Partia Demokratike e Kosovës (PDK), do të arrijë koalicion vetëm me partitë të cilat janë “shoqëri”, e opozitës, pasi sipas tij partia në pushtet nuk i ka dhënë për katër vite shtetit atë që e meriton.
“Kandidati jonë për kryeministër e ka thanë shprehimisht dhe e mbështesë që koalicionet e preferuar janë ato që janë shokë me opozitë sepse nuk ka asnjë ndryshim qëndrim sepse partia në pushtet ka tregu që për katër vite rresht nuk i ka dhanë Kosovës ata që e meriton përkundrazi dëmin që e ka shkaktuar diplomatik, politik dhe ekonomik është jashtëzakonisht i madh dhe nuk mund të pajtohemi që të vazhdojë në asnjë pikë për të qeverisur kjo qeveri që është”, ka përfunduar Shala.
Ndërkohë pak më i “butë”, në përqindje ka qenë deputeti i kuvendit nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj i cili shprehet se pas lidhjes së koalicionit me partinë politike Nisma Socialdemokrate – Konservatorët – E30 dhe Ideal besojnë se do të arrijnë një përqindje rreth 15 për qind.
“AAK-ja duke u bazuar në faktet që është parti që ka treguar qëndrueshmëri dhe vizion që mbi dy dekada, besojmë që ka arritur të ruajë besueshmërinë tek qytetarët e Kosovës edhe në këto zgjedhje që po vijnë, ku në bashkëpunim me koalicionin që kemi, në presim të shkojmë deri në 15% të votave të përgjithshme”, ka thënë Lekaj.
Mirëpo Lekaj ka thurur lëvdata për liderin e kësaj partie Ramush Haradinaj, i cili është edhe prijësi i listës për të cilin thotë se vota ndaj tij është votë për Kosovën, sigurinë e zhvillimin e vendit.
Sipas Lekaj, AAK-ja, tashmë ka marrë mbështetjën e nevojshme nga mërgata për kandidatin për kryeministër Ramush Haradinaj, si njeri të besueshëm nga skena politike që ja vlen të votohet.
“Diaspora jonë është e zhgënjyer me besimin e pa rezervë që ja dha Qeverisë Kurti, ku pritjet ishin shumë të mëdha për ndryshim në fuqizim, zhvillim e mirëqenie të shtetit të Kosovës. AAK, tani e sa kohë në çdo tubim dhe takim me bashkatdhetarët brenda dhe jashtë vendit në Evropë, e ka marrë mbështetjen për partinë dhe liderin Haradinaj si të vetmen parti dhe njeri të besueshëm nga skena politike që ja vlen të votohet”, thotë ai mes tjerash.
Tutje ai është shprehur se AAK-ja është shumë e kompletuar me listën e saj zgjedhore, programin dhe vizionin për 4 vitet e ardhshme të qeverisjes së Kosovës.
Ndërkaq ai thotë se kjo parti nuk ka vendosur vija të kuqe për asnjërin subjekt politik në vend.
“Si parti nuk kemi vija të kuqe me asnjë parti, por që çdo koalicion i ardhshëm nuk do të arrihet pa pasur një konsensus të programit dhe planit të udhëheqjes së vendit, ku në qendër është paprekshmëria e sovranitetit dhe integritetit të Kosovës të shpallur me 17 shkurt 2008, si dhe një koncept i ri i sigurisë që përfshin raportet e ngushta me ndërkombëtarët dhe anëtarësimin e plotë në NATO”, tha Lekaj.
E nesër zyrtarisht nis votimi nga mërgata. KQZ ka njoftuar se veçse janë përfunduar të gjitha procedurat dhe se votimi do të mund të fillojë nesër.
Kurse më 11 janar, të shtunën në Kosovë nis zyrtarisht fushata zgjedhore-anipse në vendin tonë vese prej dy muajsh partitë politike e liderët kanë nisur fushatën duke u takuar me qytetarët anembanë vendit, e duke vizituar edhe biznese të ndryshme.
Zgjedhjet e 9 shkurtit do të jenë të rëndësishme për të ardhmen e Kosovës, e më së shumti të vetë qytetarëve.
Mbetet të shihet se kush do të arrijë të fitojë përqindjen më të lartë dhe nëse ajo do të jetë e mjaftueshme sa për të mos pasur nevojë për koalicion./Lajmi.net/