Nga Qeveria Kurti u tha se serverët e përdorur nga KQZ-ja u dhanë donacion, Elezi deklaron se u përdorën serverë të tjerë

Qytetarët e Kosovës iu janë drejtuar kutive të votimit me 9 shkurt të këtij viti për të zgjedhur atë që e konsiderojnë të denjë për ta udhëhequr shtetin. Por, ndonëse zgjedhjet kanë përfunduar tash e 15 ditë, rezultatet preliminare ende nuk kanë dal. Dita e zgjedhjeve, ka shkuar pa ndonjë incident serioz por pas mbylljes…

Lajme

24/02/2025 15:52

Qytetarët e Kosovës iu janë drejtuar kutive të votimit me 9 shkurt të këtij viti për të zgjedhur atë që e konsiderojnë të denjë për ta udhëhequr shtetin. Por, ndonëse zgjedhjet kanë përfunduar tash e 15 ditë, rezultatet preliminare ende nuk kanë dal.

Dita e zgjedhjeve, ka shkuar pa ndonjë incident serioz por pas mbylljes së qendrave të votimit, KQZ u përball me një problem me ueb-faqen e saj.

Serveri i ueb-faqes së KQZ-së ishte përballur me probleme të vazhdueshme menjëherë pasi filloi publikimi i rezultateve, pasi që sistemi ka dalë jashtë funksionit disa herë, duke rezultuar me ndërprerje dhe vonesa në numërimin e votave.

Në lidhje me këtë, akuza i ishin drejtuar Qeverisë së Kosovës e për këtë pati reaguar zëdhënësi i kësaj Qeverie, Përparim Kryeziu i cili tha se Qeveria nuk ka të bëjë me serverët dhe software-in e KQZ-së për digjitalizimin e procesit zgjedhor, duke përfshirë raportimin e daljes së votuesve në zgjedhje dhe rezultateve preliminare.

Ai tha se serveri që kishte përdorur KQZ për Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ishte donacion nga shteti i Gjermanisë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës nuk ka të bëjë as me serverët e as me software-in e KQZ-së për digjitalizimin e procesit zgjedhor, duke përfshirë raportimin e daljes së votuesve në Zgjedhje dhe rezultateve preliminare. Për informim të qytetarëve, KQZ ka pranuar serverë dhe pajisje përcjellëse për Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve si donacion nga shteti i Gjermanisë, kurse prokurimi për software-in e KQZ-së është bërë nga OSBE, gjithashtu si donacion. Për këtë ka njoftim publik dhe raportim mediatik”, pati thënë ai.

Këtë sot para mediave e ka mohuar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

“Sa i përket kësaj çështje, KQZ ka përdorur server që kanë qenë funksional më herët”, ka thënë Elezi në një konferencë për media.

Gjithashtu, për këtë janë deklaruar edhe nga ambasada e Gjermanisë në Kosovë të cilët kanë thënë se janë njoftuar që donacioni i dhënë për KQZ-në nuk është përdorur gjatë këtyre zgjedhjeve.

“Pajisjet e ofruara synojnë të përmirësojnë infrastrukturën e TI-së të KQZ-së, megjithatë, ato nuk përfshijnë pajisje për numërimin e zgjedhjeve. Donacioni është organizuar dhe pajisjet janë blerë nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, me financim të siguruar nga Gjermania”, ka thënë zëdhënësi i Ambasadës së Gjermanisë në Prishtinë, Christian Boetcher.

Christian Boetcher ka theksuar gjithashtu se Ambasada gjermane është njoftuar se pajisjet e dhuruara nuk janë përdorur gjatë zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe ka thënë se duhet pyetur KQZ-ja se pse këto pajisje s’janë shfrytëzuar. /Lajmi.net/