Nga Prokuroria dhe diskoteka tregojnë nëse kanë tjera video-incizime nga rasti i rrahjes, Noizy ia lë çështjen në dorë avokatit
Një incident mjaftë i rëndë u raportua të ketë ndodhur të enjten në diskotekën “Sancy” në Pejë. Dy persona janë rrahur, e në këtë ngjarje i përfshirë u raportua të jetë edhe artisti i njohur shqiptar, Rigels Rajku (Noizy). Incidenti në fjalë theksohet të ketë ndodhur rreth orës 03:00 pas mesnate ku Noizy dhe grupi…
Lajme
Një incident mjaftë i rëndë u raportua të ketë ndodhur të enjten në diskotekën “Sancy” në Pejë.
Dy persona janë rrahur, e në këtë ngjarje i përfshirë u raportua të jetë edhe artisti i njohur shqiptar, Rigels Rajku (Noizy).
Incidenti në fjalë theksohet të ketë ndodhur rreth orës 03:00 pas mesnate ku Noizy dhe grupi i tij OTR thuhet të jenë përfshirë në këtë sherr masiv ku të lënduar rëndë fizikisht përfunduan, Muhamet Iseni i njohur për publikun si Medi si dhe një nga familjarët e tij, Bekim Hadërgjonaj.
Incidenti në fjalë si fillim u raportua si një rrahje në mes disa personave, por nga detajet e mëvonshme doli që të përfshirë të ishin emra të famshëm, në mesin e tyre edhe Arkimed Lushaj- Stresi i cili dyshohet se në fakt kishte ndikim në “organizimin” apo takimin e Noizyt me Medin, dyshe kjo që kishin pasur mosmarrëveshje edhe më herët.
Stresi dyshohet se ka vënë në kurth viktimat e ngjarjes, e në lidhje me këtë ishin publikuar edhe mesazhet paraprake në mes Stresit dhe Medit.
Nga ky incident janë publikuar edhe pamjet. Ishte vetë viktima në këtë rast i cili ndër të tjerash nxori në pah videon e ngjarjes. Ajo çfarë është më interesante është se në videon e publikuar nuk shihet asgjëkund i dyshuari kyç në këtë ngjarje, reperi Noizy.
Pavarësisht gjithë kësaj, Noizy i cili vazhdimisht ishte aktiv në mbrëmjet e tij muzikore në Kosovë tashmë është në arrati.
Organet e rendit dhe hetuesisë në Kosovë kanë lëshuar një fletëarrest ndaj këngëtarit i cili thuhet se ende nuk është paraqitur në Polici e as Prokurori për t’u deklaruar. Noizy ngarkohet zyrtarisht me veprën “Lëndim i rëndë trupor”.
Teksa është lëshuar urdhërarrest ndaj Noizyt dhe ndaj Bahtjar Bajraktari, këta të fundit thuhet se ende nuk janë paraqitur tek organet kompetente për deklarim.
E në një përgjigje për lajmi.net, Shkodran Nikçi, zëdhënës i Prokurorisë Themelore në Pejë ka thënë se ndaj personave të identifikuar është lëshuar urdhërarrest.
“Të njëjtit janë identifikuar personat e përfshirë në rrahje, dhe të gjithë ata persona të cilët janë identifiku është lëshuar urdhërarrest për kapjen e tyre”, është shprehur Nikçi.
Ai tha se është kërkuar edhe ndihma e qytetarëve për kapjen e të dyshuarve.
I pyetur se nëse është ftuar për intervistim nga prokuroria edhe këngëtari, Stresi, Nikçi ka thënë se i njëjti nuk është i pandehur.
“Stresi i pandehur nuk është”, përfundoi ai.
I pyetur nëse Prokuroria posedon video-incizime të tjera nga rasti përpos asaj që u bë publike e ku askund nuk vërehet artisti Noizy, Nikçi tha se për informata të mëtutjeshme nuk mund të japin detaje për shkak se janë të dhëna konfidenciale të prokurorisë.
Kësisoj rasti në fjalë është më tepër i ngritur mbi deklarimet e palës së dëmtuar, duke mos u dhënë detaje shtesë.
E për këtë çështje nuk ka dashur të deklarua fare reperi Noizy.
I kontaktuar nga lajmi.net reperi tha se nuk do të flasë për këtë çështje pasi kësisoj e ka parë më të arsyeshme pala mbrojtëse e tij.
Sipas artistit është vetë avokati i tij që do të merret me këtë çështje.
Kurse pas ngjarjes Noizy ka mohuar se ka qenë i përfshirë në rrahje. Ai përmes një postimi në Instagram ka thënë se në momentin që kishte shpërthyer përleshja, sigurimi e kishte shoqëruar jashtë dhe se nuk e kishte goditur për asnjë çast personazhin e tik-tokut.
“Prandaj dhe në video nuk dukem unë, sepse unë nuk kam qen aty në atë moment”, ka shkruar ndër të tjera reperi Noizy.
Ai tashmë ka anuluar dy koncerte të parapara për t’u mbajtur në Kosovë, një nga to mbrëmë në Gjilan.
Lajmi.net ka kontaktuar edhe diskotekën “Sancy” në Pejë.
Të njëjtit thonë se rasti ka ndodhur jashtë publikut.
“Rasti ka ndodh jashtë publikut, publiku krejt janë në rregull, as nuk ka pas kurgjo telashe. Nuk ka dit publiku çka ka ndodh, pos informatave që i ka jep policia nëpër gazeta me bo t’madhe, naj polic që ka dashtë me na e prish imazhin tonë edhe kurgjo çka ka ndodh me diskotekë s’ka pas lidhje.”
Nga menaxhmenti i diskotekës rikonfirmojnë që problemi ka qenë në mes të dy palëve, por se nuk kanë informacione më shumë se sa ato që i ka shpalosur policia deri më tani.
“Telashet e veta ata që i kanë pas, ata e dinë, policia është tu u marrë me ta. Policia neve as nuk na ka nguc, veç na ka marrë në pyetje a keni pa diçka, kamera aty ku rrinë këngëtarët në atë pjesë nuk ka, se nuk ke të drejtë me i qit me i pa personalisht çka bëjnë. Për ma shumë vetëm mundeni me i marrë informacionet prej grupeve të tyre”, thuhet në deklarimin nga “Sancy”.
Sipas menaxhmentit të diskotekës, siguria në diskotekë brenda është shumë e madhe, mirëpo, ata nuk mund të japin përgjegjësi edhe për atë se çka ndodh jashtë saj.
“Me pas diçka më shumë e kishim publiku vet që me e zbardh imazhin tonë, po na kanë lodh. Siguria është shumë në nivel brenda clubit tonë. Jashtë clubit ne nuk mundemi me dhanë përgjegjësi për asgjë që ndodh”, thuhet në deklaratën e tyre.
Ky incident po vazhdon të komentohet, e përfolet me të madhe duke pasur parasysh edhe ndikimin që ka në publik vetë reperi Noizy i cili ndër të tjerash viteve të fundit duket sikur kishte lënë anash problemet me grupacione dhe ishte fokusuar në muzikë dhe në bizneset e tij të cilat edhe i sollën një stabilitet mjaftë të madh financiar./Lajmi.net/