Nga premtimi i rrem për sigurim shëndetësor te huazimi i kapelave – gjendja e Policisë pas pesë vjetësh të Qeverisë Kurti

Një prej zotimeve që Albin Kurti kishte dhënë në vitin 2021, kur erdhi në pushtet, ishte sigurimi jetësor dhe shëndetësor për pjesëtarët e Policisë së Kosovës. Megjithatë, më shumë se pesë vjet më vonë, ky premtim vazhdon të mbetet i parealizuar. Gjatë prezantimit të programit qeverisës në Kuvendin e Kosovës, më 22 mars 2021, Kurti…

Lajme

03/11/2026 10:32

Një prej zotimeve që Albin Kurti kishte dhënë në vitin 2021, kur erdhi në pushtet, ishte sigurimi jetësor dhe shëndetësor për pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

Megjithatë, më shumë se pesë vjet më vonë, ky premtim vazhdon të mbetet i parealizuar.

Gjatë prezantimit të programit qeverisës në Kuvendin e Kosovës, më 22 mars 2021, Kurti kishte vlerësuar lart punën e zyrtarëve policorë, duke theksuar se shteti duhet t’ua garantojë atyre sigurimin shëndetësor dhe jetësor, për shkak të natyrës së rrezikshme të punës që bëjnë, raporton lajmi.net.

“Njëjtë sikurse policia që na japin neve siguri, edhe ne duhet t’u japim zyrtarëve policorë sigurimin jetësor e shëndetësor si një e drejtë e garantuar për punën e tyre të rëndësishme, por edhe nën rrezik”, kishte deklaruar Kurti.

Por, pavarësisht këtij zotimi, pjesëtarët e Policisë së Kosovës vazhdojnë të mos e kenë të garantuar këtë mbulim sigurues.

Çështja e sigurimit jetësor dhe shëndetësor nuk është shqetësimi i vetëm i pjesëtarëve të Policisë. Kohëve të fundit janë ngritur edhe shqetësime për mungesën e uniformave dhe pajisjeve bazike.

Së fundmi, sipas raportimit në media, zyrtarëve policorë u është kërkuar që t’ua huazojnë kapelat e tyre kadetëve të gjeneratës së 63-të, në mënyrë që ata t’i përdorin gjatë ceremonisë së diplomimit.

Ceremonia, e planifikuar fillimisht për 30 tetor, ishte shtyrë për 6 nëntor, për shkak të problemeve me furnizimin me uniforma dhe pajisje të nevojshme.

Bëhet fjalë për mbi 300 kadetë, trajnimi i të cilëve kishte nisur më 27 prill në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike.

Problemet me furnizimin me uniforma nuk janë të reja. Më 9 tetor, kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Avdi Hoti, kishte deklaruar se uniformat nuk ishin shpërndarë rregullisht që nga viti 2021.

“Uniforma nuk është shpërndarë që nga viti 2021, ka pas shpërndarje vetëm aty ku ka pasur nevojë, por uniformë të rregullt, me shpërnda qysh është me rregullore deri më tani nuk ka pasur”, kishte deklaruar Hoti.

Ndërkohë, në këtë periudhë, Policia e Kosovës po kalon edhe nëpër ndryshime në strukturën e saj udhëheqëse.

Në këtë periudhë, Policia e Kosovës u përball edhe me ndryshime në strukturën e saj udhëheqëse, pas dorëheqjes së drejtorit të përgjithshëm, Gazmend Hoxha, më 30 tetor.

Dorëheqja e tij erdhi pesë ditë pas vrasjes së Arlinda Zekajt, rast që nxiti protesta dhe kërkesa për përgjegjësi institucionale.

Me propozim të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në pozitën e ushtruesit të detyrës së drejtorit të përgjithshëm u caktua Fehmi Hoti.

Ndryshime pati edhe në nivel të departamenteve. Më 2 nëntor, Veton Elshani konfirmoi se do ta marrë drejtimin e Departamentit Kufitar, pozitë që deri atëherë mbahej nga Fehmi Xhata. Ky i fundit pritet të kalojë në krye të Departamentit të Hetimeve.

Kështu, në një kohë kur Policia e Kosovës po përballet me ndryshime në udhëheqje dhe probleme me furnizimin me pajisje, një prej premtimeve kryesore të Albin Kurtit për mirëqenien e zyrtarëve policorë, sigurimi jetësor dhe shëndetësor, ende nuk është realizuar.

Premtimi i vitit 2021, për të cilin Kurti kishte thënë se duhej të ishte një e drejtë e garantuar për policët që punojnë edhe nën rrezik, vazhdon të jetë pa një zgjidhje konkrete./Lajmi.net/