Nga peshqirët e trupit tek jastëkët, e dini sa shpesh duhen larë këto produkte?

Lexo disa udhëzime sesa rregullisht duhet t’i lash këto aksesorë prej cohe, që përdoren më shpesh.

Lifestyle

15/02/2021 16:22

Sipas një sondazhi të vitit 2019 në  Women’s Health, shumica e njerëzve i lajnë peshqirët dhe çarçafët shpesh, edhe pse disa, jo aq rregullisht sa duhet.

“Ashtu si rrobat, shtrojet që përdoren rregullisht, sidomos ato që janë në kontakt me ushqimin ose lëkurën, duhet të lahen më shpesh, ndërsa ato që nuk përdoren shpesh, si peshqirët dekorativë, apo mbulesat e krevatëve, mund të përdoren më rrallë,” thotë Maeve Richmond, themeluese dhe trajnere kryesore e kompanisë së organizimit të shtëpisë, Maeve’s Method.

Nëse do të dish metodat më të mira të pastrimit, mësoji nga specialistja. Lexo disa udhëzime sesa rregullisht duhet t’i lash këto aksesorë prej cohe, që përdoren më shpesh.

Peshqirët e trupit

Larja e rekomanduar: Çdo 3 apo 4 përdorime

Edhe pse janë krijuar për përdorim të shpeshtë, ato mund të nisin të mbajnë erë pas disa përdorimesh, sidomos nëse nuk ajrosen si duhet pas përdorimit.

Nëse bën stërvitje, ose ke një punë të lodhshme fizike, laji edhe më shpesh dhe mos i ndaj me asnjë anëtar të familjes që mund të ketë një infeksion të lëkurës.

Çarçafët

Larja e rekomanduar: Çdo javë ose çdo 2 javë

“Shtrojet e shtratit mund të përdoren në mënyra të  ndryshme, prandaj edhe shpeshtia e larjes është individuale. Nëse janë bërë me njolla, nëse dikush në familje është sëmurë, nëse fle e zhveshur ose pothuajse, ose nëse shkon të flesh pa bërë dush pas palestrës, duhet t’i lash më shpesh.

Edhe stinët janë gjithashtu një faktor. Në varësi të stilit të jetës, shtrojet mund të kenë nevojë për më shumë larje gjatë verës, duke qenë që djersijmë më shpesh dhe djersa kalon te peshqirët dhe çarçafët.

Peshqirët e enëve

Larja e rekomanduar: 2 herë në javë

”Peshqirët e kuzhinës grumbullojnë copëza ushqimi dhe këto njolla mund të krijojnë baktere dhe erëra të rënda, kështu që duhet t’i lash çdo javë nëse gatuan rregullisht, por nëse peshqirët e kuzhinës nuk përdoren shpesh dhe qëndrojnë të varur sa për dekor, një herë në muaj mjafton”- thotë Richmond.

Peshqirët e duarve

Larja e rekomanduar: Çdo 2-3 ditë.

Duke qenë që peshqirët e duarve zakonisht janë të varura në një hapësirë me shumë qarkullim dhe të favorshme për zhvillimin e baktereve dhe përdoren nga shumë njerëz, është e arsyeshme t’i hedhësh në lavatriçe më shpesh sesa gjithë peshqirët e tjerë.

Jastëkët

Larja e rekomanduar: Një herë në gjashtë muaj

Jastëku, qoftë i mbushur me pupla apo fibra sintetike, duhet larë dy herë në vit për të mos lejuar që era dhe njollat të bëhen të përhershme. Ndiq udhëzimet e pastrimit me përpikëri, mund të lahen në lavatriçe ose në pastrim kimik dhe sigurohu që të jetë plotësisht i thatë para se ta vendosësh në shtrat. /Lajmi.net/