Nga grabitja e trajnerit tek plagosja e policit, e shkuara e errët e Fatjon Prendit që u kap në Greqi me 1 ton drogë
Policia greke shkatërroi një grup kriminal duke vënë në pranga 6 shtetas shqiptarë, mes tyre kreun e grupit, Fatjon Prendi, 39 vjeç. Në operacionin, ku morën pjesë edhe forcat speciale EKAM, u sekuestruan mbi 1 ton marijuanë, mbi 1000 rrënjë marijuanë, arsenal armësh dhe sasi të tjera droge, përfshirë ato sintetike. Fatjon Prendi rezulton një…

Lajme
Policia greke shkatërroi një grup kriminal duke vënë në pranga 6 shtetas shqiptarë, mes tyre kreun e grupit, Fatjon Prendi, 39 vjeç.
Në operacionin, ku morën pjesë edhe forcat speciale EKAM, u sekuestruan mbi 1 ton marijuanë, mbi 1000 rrënjë marijuanë, arsenal armësh dhe sasi të tjera droge, përfshirë ato sintetike.
Fatjon Prendi rezulton një emër i njohur për drejtësinë greke, i përfshirë në një ngjarje të përgjakshme më 7 dhjetor 2012 në Krioneri të Greqisë.
Në atë rast, 4 persona, përfshirë Prendin, tentuan të hynin me forcë në shtëpinë e një familjeje, ku vajza e re sapo ishte kthyer duke mbajtur në çantë 1700 euro. Autorët thyen një dritare dhe hynë në banesë, duke i rrëmbyer çantën vajzës, e cila u mbyll me familjen në dhomën e prindërve dhe njoftoi policinë.
Grabitësit u larguan në këmbë, por policia i ndoqi dhe pati shkëmbim zjarri. Gjatë ngjarjes, gazetari i njohur grek Makis Triantafyllopoulos, që kishte shkuar për të raportuar, u bllokua nga grabitësit dhe i morën makinën në zonën e Ekalit. Policia nisi një ndjekje të egër, ku pati një shkëmbim tjetër zjarri pranë varrezave, dhe një makinë patrullimi u përplas në një përrua gjatë ndalimit të autorëve. Një oficer policie u plagos gjatë përleshjes.
Operacioni për shkatërrimin e grupit të Fatjon Prendit u zhvillua në zona të ndryshme të Athinës dhe Arkadias. Grupi kriminal kultivonte drogë dhe tregtonte kokainë dhe substanca të tjera sintetike. Në pranga ranë 6 persona, përfshirë kreun e grupit, 39-vjeçarin Prendi, dhe bashkëpunëtorët e tij: 36-vjeçarin Elson Ndreca, 35-vjeçaren Brisejda Cami, 73-vjeçaren Pashke Gega, 35-vjeçaren Zoje Ndoj dhe 50-vjeçarin Arben Mashi, i cili jetonte në mënyrë të paligjshme në Greqi.
Gjatë kontrollit u sekuestruan 1 ton e 161 kg marijuanë, 1640 rrënjë marijuanë, 4.3 gram kokainë, 3.5 gram ketaminë, 10 gram kristal methamfetaminë MDMA, 9 tabela ecstasy dhe një arsenal armësh që përfshinte 2 pistoleta, 1 Kallashnikov, 1 granatë dhe 134 fishekë. Po ashtu, u konfiskuan 3 automjete, 17 celularë, para false dhe në valuta të ndryshme.
Sipas burimeve policore, Fatjon Prendi kishte precedentë penalë në Greqi për tentativë vrasje dhe grabitje në bashkëpunim dhe ndodhej në masën e detyrimit për paraqitje, ndërsa Arben Mashi kishte precedentë për organizatë kriminale, drogë, armë dhe shkelje të ligjit për emigrantët./TCH/