Nga Gjermania e Zvicra në Kanada e Austri, diaspora sot në këmbë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së

Protesta në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) janë paralajmëruar në disa vende të Evropës dhe në Kanada, pas vendimit dënues të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Njëra prej protestave pritet të mbahet të shtunën në Köln të Gjermanisë, në Köln HBF, duke nisur nga ora 20:00. Tubimi…

Lajme

19/09/2026 08:16

Protesta në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) janë paralajmëruar në disa vende të Evropës dhe në Kanada, pas vendimit dënues të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Njëra prej protestave pritet të mbahet të shtunën në Köln të Gjermanisë, në Köln HBF, duke nisur nga ora 20:00. Tubimi është organizuar nga të rinj shqiptarë që jetojnë në Gjermani.

Organizatorët e kanë shoqëruar thirrjen me mesazhin “Jo në emrin tim!”, ndërsa kanë ftuar komunitetin shqiptar, veçanërisht të rinjtë, që t’i bashkohen tubimit.

Një tjetër tubim me të njëjtën moto është paralajmëruar në Cyrih të Zvicrës, të shtunën në Helvetiaplatz, nga ora 15:00 deri në 17:00.

Sipas organizatorëve, tubimi në Cyrih është organizuar nga një grup të rinjsh shqiptarë në Zvicër dhe është pajisur me leje zyrtare nga Policia e Cyrihut.

Pjesëmarrësit janë ftuar të marrin me vete flamuj kombëtarë me emblemat e UÇK-së dhe të vishen me ngjyrat kuq e zi.

Protesta në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së janë paralajmëruar gjithashtu në Kanada, ndërsa një tubim i tillë në Austri është paralajmëruar të mbahet nesër.