Nga 800 tenderë të KEK-ut me vlerë mbi 200 milionë euro, dhjetëra prej tyre dyshohen për kurdisje
Autoriteti i Konkurrencës ka konfirmuar se është duke monitoruar dhjetëra tenderë të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), për shkak të dyshimeve për praktika të ndaluara të llojit “bid-rigging” (kurdisje tenderësh). Hetimi i plotë ende nuk ka nisur, për shkak të mosfunksionalitetit të Komisionit vendimmarrës të Autoritetit. Kështu kanë konfirmuar nga Autoriteti i Konkurrencës në një…

Lajme
Autoriteti i Konkurrencës ka konfirmuar se është duke monitoruar dhjetëra tenderë të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), për shkak të dyshimeve për praktika të ndaluara të llojit “bid-rigging” (kurdisje tenderësh).
Hetimi i plotë ende nuk ka nisur, për shkak të mosfunksionalitetit të Komisionit vendimmarrës të Autoritetit.
Kështu kanë konfirmuar nga Autoriteti i Konkurrencës në një përgjigje për Telegrafin.
“Pas një kërkese zyrtare të pranuar nga Udhëheqësia e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Autoriteti ka pranuar lista të rreth 800 tenderëve të zhvilluar gjatë viteve 2020–2024, me një vlerë totale mbi 200 milionë euro. Këto tenderë përfshijnë kontrata të vlerave të mëdha dhe të mesme,” thuhet në përgjigjen e Autoritetit të Konkurrencës.
Megjithatë, jo të gjithë këta tenderë janë nën vëzhgim aktiv.
“Nga ky numër i përgjithshëm, dhjetëra tenderë që arrijnë vlera prej dhjetëra milionë euro janë aktualisht nën monitorim të drejtpërdrejtë nga inspektorët e Autoritetit, për shkak të dyshimeve mbi praktika të ndaluara të tipit bid-rigging (kurdisje tenderësh). Pra nuk po monitorohen apo hetohen 800 tenderë, por dhjetëra prej tyre”, ka sqaruar Autoriteti i Konkurrencës.
Tutje sipas Autoritetit, janë identifikuar disa forma tipike të kurdisjes së tenderëve që po analizohen në këtë fazë.
“Shtypja e ofertës – kur konkurrentët bien dakord të mos paraqesin ofertë ose të tërheqin një ofertë të dorëzuar, Rotacioni i ofertave – kur kompanitë bien dakord që të fitojnë tenderë me radhë, Shpërndarja e klientëve apo tregut – kur ofertuesit ndajnë mes vete klientë apo zona gjeografiken dhe Oferta plotësuese – kur paraqiten oferta të qëllimshme për të humbur, vetëm për të krijuar përshtypjen e konkurrencës”, thuhet në përgjigjen për Telegrafin.
Sidoqoftë, Autoriteti nuk ka mundur të hapë formalisht ndonjë hetim për momentin.
“E theksojmë se hetim formal ende nuk ka mundur të hapet. Arsyeja qëndron tek fakti se Komisioni i Autoritetit të Konkurrencës që është organi vendimmarrës, aktualisht nuk është funksional”, është thënë më tej në përgjigje.
Kjo situatë është pasojë e mungesës së kuorumit në Komision.
“Ligji për Mbrojtjen e Konkurrencës (neni 27, paragrafi 1) përcakton se vendimmarrja bëhet vetëm kur Komisioni ka së paku tre (3) anëtarë aktivë. Në praktikë, ky kuorum nuk është i plotësuar, për shkak të konflikteve të vazhdueshme të interesit të konstatuara nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit lidhur me nënkryetaren znj. Kaltrina Sela në fushën e tenderëve të KEK-ut dhe disa fusha e tregje tjera”, kanë deklaruar nga Autoriteti i Konkurrencës.
Gjithashtu, dy anëtarë të tjerë kanë dhënë dorëheqje gjatë këtij viti, Florent Mehmeti dhe Salihe Gashi-Loku.
Derisa Komisioni të rifunksionalizohet, Autoriteti ka theksuar se është i kufizuar në veprimet që mund të ndërmarrë.
“Për pasojë, deri në rifunksionalizimin e Komisionit, Autoriteti nuk ka bazë ligjore për të marrë një vendim për hapjen e procedurës hetimore. Në këtë fazë, Autoriteti po kryen vetëm analiza paraprake dhe mbledhje provash dhe monitorim të mëtutjeshëm, me qëllim që pas rifunksionalizimit të Komisionit të jetë i gatshëm të ndërmarrë veprimet ligjore të nevojshme nëse dyshimet për marrëveshje të ndaluara vërtetohen”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Në fund, Autoriteti ka ritheksuar përkushtimin për të mbrojtur konkurrencën dhe fondet publike.
“Autoriteti i Konkurrencës mbetet i përkushtuar të mbrojë konkurrencën e ndershme dhe të garantojë përdorimin e drejtë dhe efikas të fondeve publike në prokurimet e mëdha, siç është rasti i tenderëve të KEK-ut”.