Neymar sulmon Serbinë
Brazili do të ndeshet me Serbinë, në ndeshjen e fundit miqësore para fillimit të Kampionatit botëror 2014. Edhe pse kundërshtari shquhet si skuadër e fortë fizikisht, selektori Luiz Felipe Scolari do ta aktivizojë Neymarin nga minuta e parë.

Sport
Brazili do të zhvillojë ndeshjen e fundit miqësore para Kampionatit botëror 2014, kundër një rivali të fortë si Serbia, të premten.
Mirëpo, pavarësisht lojës mjaft të ashpër fizike nga ana e kundërshtarit, selektori i Brazilit, Luiz Felipe Scolari nuk do t’i pushojë futbollistët kryesorë përfshirë sulmuesin Neymar, ka bërë të ditur e përditshmja sportive katalane El Mundo Deportivo.
Fillimisht dyshohej se Neymar nuk do të luajë kundër Serbisë pasi duke marrë parasysh se shpeshherë është cak i ndërhyrjeve të ashpra nga futbollistët kundërshtarë, mund të pësojë ndonjë dëmtim të panevojshëm dhe të rrezikshëm në prag të fillimit të garës më 12 qershor.
Mirëpo, Scolari do ta aktivizojë atë në formacionin bazë, pasi beson se është në formë të mirë, që e tregoi edhe në fitoren 4:0 në miqësoren e fundit kundër Panamasë kur realizoi një gol të mrekullueshëm nga goditja e lirë.