NEWBORN-i, simbol i lirisë, mbulohet me 5000 emblema të UÇK-së në Ditën e Pavarësisë

Monumenti ikonik i pavarësisë së Kosovës, NEWBORN, është shndërruar sërish në qendër të reagimeve qytetare në 18-vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Platforma qytetare “Liria ka emër” ka bërë të ditur se këtë mëngjes monumenti u mbush me 5000 emblema magnetike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Ky aksion pason reagimin e mbrëmshëm të aktivistëve, të…

Lajme

17/02/2026 09:30

Monumenti ikonik i pavarësisë së Kosovës, NEWBORN, është shndërruar sërish në qendër të reagimeve qytetare në 18-vjetorin e shpalljes së pavarësisë.

Platforma qytetare “Liria ka emër” ka bërë të ditur se këtë mëngjes monumenti u mbush me 5000 emblema magnetike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Ky aksion pason reagimin e mbrëmshëm të aktivistëve, të cilët e rrethuan NEWBORN-in me hekura metalike, duke e kthyer në një imazh simbolik të burgut dhe duke vendosur mbishkrimin “Kosova e burgosur!”.

Eliza Hoxha nga “Liria ka emër” ka theksuar se ky reagim qytetar është kundër padrejtësive të Gjykatës Speciale, të cilën e konsiderojnë si një tendencë për rishkrimin e historisë dhe cenim të luftës për liri dhe të themeleve të shtetit të Kosovës. Sipas saj, NEWBORN-i, simbol i 17 shkurtit dhe i lindjes së Republikës, është përfshirë në aktivitetet e tyre për të pasqyruar ndjenjën e padrejtësisë që qytetarët dhe Kosova po e përjetojnë përballë proceseve gjyqësore në Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Aktiviteti ndodh në një ditë të veçantë për Kosovën, 18-vjetorin e pavarësisë, ndërkohë që të paraburgosur në Hagë janë figura kyçe të rezistencës dhe shtetndërtimit: ish-presidenti dhe ish-kryeministri Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi. /Lajmi.net/