Netët në burg pa shpërblim – zyrtarët korrektues mbesin pa shtesa të ndërrimit të natës, SHKK tregon arsyen!
Zyrtarët korrektues të Shërbimit Korrektues të Kosovës (ShKK) nuk kanë marrë shtesat për ndërrimet e natës gjatë këtij viti, për shkak të pamundësisë ligjore për të realizuar lëvizje buxhetore jashtë tremujorit të fundit të vitit fiskal. Në një përgjigje zyrtare për lajmi.net, ShKK ka konfirmuar se nuk ka pasur mundësi të paraqesë kërkesë për buxhet,…

Lajme
Zyrtarët korrektues të Shërbimit Korrektues të Kosovës (ShKK) nuk kanë marrë shtesat për ndërrimet e natës gjatë këtij viti, për shkak të pamundësisë ligjore për të realizuar lëvizje buxhetore jashtë tremujorit të fundit të vitit fiskal.
Në një përgjigje zyrtare për lajmi.net, ShKK ka konfirmuar se nuk ka pasur mundësi të paraqesë kërkesë për buxhet, pasi që “lëvizjet në buxhet për këtë kategori mund të bëhen vetëm në tremujorin e fundit të vitit fiskal”.
“Në këtë vit fiskal nuk ka pasur plotësim-ndryshim të Ligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për Vitin 2025, prandaj SHKK nuk ka pas mundësi të paraqes kërkesë për buxhet. Për këtë arsye, Thesari nuk i ka ekzekutuar shtesat për ndërrimet e natës,” thuhet në përgjigjen e këtij institucioni.
Megjithatë, ShKK thekson se ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për të mundësuar pagesën e këtyre obligimeve ndaj zyrtarëve korrektues.
“Ne si organizatë buxhetore, kemi përgatitur kërkesën për Ministrinë e Financave, dhe pas miratimit të transferit, të gjitha obligimet e mbetura për zyrtarët korrektues do të paguhen në mënyrë retroaktive,” thuhet tutje në përgjigje.
Nuk është dhënë një afat i saktë se kur do të bëhet miratimi i kërkesës nga Ministria e Financave dhe kur pritet të kryhen pagesat, por ShKK shpreh gatishmërinë për t’i ekzekutuar ato menjëherë pas miratimit./lajmi.net/