Netanyahu mbështet formimin e shtetit të Kurdistanit

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, i ka bërë thirrje vendit të tij që të mbështesë aspiratën e kurdëve për pavarësi.

Bota

30/06/2014 11:10

Netanyahu gjatë një fjalimi që ka mbajtur në Tel Aviv, i ka përshkuar kurdët si popull luftues, dhe që sipas tij kanë dëshmuar përkushtimin politik në përpjekjet që po bëjnë me dekada për të krijuar shtetin e tyre.

Kryeministri izraelit i ka bërë këto komente pasi grupi i lidhur me al Qaedan, i njohur si Shteti Islamik i Irakut dhe Levanit (ISIS), shpalli një shtet të ri në Lindjen e Mesme, i quajtur, Shteti Islam, e që shtrihet në territoret që po kontrollohen nga militantët e ISIS-së, prej Sirisë veriore deri në Irakun lindor.   

Kurdët banojnë në një rajon të gjerë, që përfshin pjesë të Iranit, Irakut, Sirisë dhe Turqisë.

Ata gëzojnë gjysmë autonomi në Irak, por janë të pakënaqur, ashtu sikurse janë të pakënaqur me statusin e tyre si popull në shtetet tjera, ku vetëm në Turqi sipas statistikave jo zyrtare, jetojnë rreth 18 milionë.

Netanyahu ka thënë se rritja e ekstremistëve sunitë, të mbështetur nga Al Qaeda, dhe e forcave shiite, të mbështetura nga Irani, ka krijuar mundësinë për “përmirësimin e bashkëpunimit rajonal” për të luftuar këtë ekstremizëm.