Nesër përfundohet reforma zgjedhore

Komisioni për Legjislacion pritet që nesër ta finalizojë draftin e reformës zgjedhore dhe të njëjtin ta dërgojë në Kryesinë e Kuvendit. Kryetari i Komisionit, Arben Gashi, pret që ky komision ta përfundojë punën e tij dhe reforma të kryhet brenda 10 ditësh.

Lajme

25/02/2014 10:44

Komisioni për Legjislacion i Kuvendit të Kosovës do të mblidhet nesër (e mërkurë) për t’ia dhënë dorën e fundit reformës zgjedhore, miratimi i të cilës pritet t’i hap rrugë mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare.

Pas dakordimit të dy partive të mëdha, LDK dhe PDK, për shpejtimin e këtij procesi, shumica e çështjeve deri dje të hapura janë harmonizuar dhe ka mbetur ende e pa përmbyllur vetëm çështje e numërimit të votave, pra, se ku do të numërohen votat në vendvotime apo në ndonjë vend tjetër të caktuar.

Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Arben Gashi, pret që në mbledhjen e paraparë për nesër ky komision ta përfundojë punën e tij dhe draftin final ta dorëzojë në Kryesinë e Kuvendit.

Gashi thotë për lajmi.net se tashmë shumica e çështjeve sa i përket reformës zgjedhore mund të konsiderohen të përmbyllura.

“Nesër do të jetë i gatshëm drafti për t’u dorëzuar në Kryesinë e Kuvendit të Kosovës”.

“Besoj se nëse ka vullnet edhe nga partitë tjera kjo punë do të kryhet nesër”.

“Pothuajse të gjitha çështjet janë përfunduar, përveç çështjes se ku do të bëhet numërimi i votave, a do të bëhet brenda në vendnumërim, apo në qendër të numërimit, ose do të mbetet ashtu siç është”.

“Sa i përket çështjes së votës preferenciale, besoj se komisioni do t`i rekomandojë Kryesisë së Kuvendit që të kërkojë interpretim nga Gjykata Kushtetuese, se a konsiderohet shkelje e Kushtetutës fakti që secila votë e partisë i shkon automatikisht edhe bartësit të listës zgjedhore, përkatësisht kryetarëve të partive”.

“Nëse ka vullnet politik prej partive, besoj se brenda dhjetë ditëve është e gatshme reforma”.