Nesër mblidhet Kryesia e Kuvendit, kjo është arsyeja

Kryesia e Kuvendit të Kosovës nesër do të mbajë mbledhje.

Lajme

07/02/2019 18:27

Kuvendi i Kosovës ka bërë të ditur se nesër me fillim prej orës 10:00, Kryesia do të mbajë mbledhje, raporton lajmi.net.

Sipas njoftimit, në këtë  mbledhje do të shqyrtohet kërkesa e 40 deputetëve për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme.

Ndryshe kujtojmë se tri parti opozitare, Vetëvendosje, LDK dhe Alternativa, kanë dorëzuar kërkesën për seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit lidhur me dyshimet për abuzim seksual të një të miture në Drenas.

Këto parti kanë kërkuar që seanca të mbahet më 8 shkurt në orën 12:00.

Në arsyetim të kërkesës për këtë seancë, theksohet se “rastet e raportimeve publike të dhunimeve dhe abuzimeve seksuale tek të miturit dhe tek vajzat e gratë brenda institucioneve të Kosovës nuk janë më të izoluara”.

“Këto raste tashmë janë kthyer në fenomen”, thuhet në arsyetim, ku shtohet se “mbrojtja e integritetit fizik dhe moral i të miturve, vajzave dhe grave është përgjegjësi ligjore prej ministrive të linjës deri tek agjencitë ligjzbatuese që mbikëqyren nga Qeveria, Kuvendi, Këshilli Prokurorial, Këshilli Gjyqësor dhe Avokati i Popullit, thuhet në njoftim.  /Lajmi.net/