“Nëse të lidhin me ta, është keq për ty” – Prokuroria për bisedën Thaçi-Fazliu rreth Mustafës
Prokurori i Specializuar ka vazhduar argumentimin e tij duke thënë se Thaçi, sipas Prokurorisë, kërkonte që Remi Mustafa të mos e lidhte dëshminë e tij me urdhra të drejtpërdrejtë nga Thaçi. Sipas tij, biseda mes Thaçit dhe Fazliut nuk kishte të bënte me ndonjë pajtim në Prishtinë, por me dëshminë e Mustafës. Prokurori ka pretenduar…
Lajme
Prokurori i Specializuar ka vazhduar argumentimin e tij duke thënë se Thaçi, sipas Prokurorisë, kërkonte që Remi Mustafa të mos e lidhte dëshminë e tij me urdhra të drejtpërdrejtë nga Thaçi.
Sipas tij, biseda mes Thaçit dhe Fazliut nuk kishte të bënte me ndonjë pajtim në Prishtinë, por me dëshminë e Mustafës. Prokurori ka pretenduar se Thaçi i jepte Fazliut, duke folur me pëshpëritje, udhëzime të qarta dhe të sakta se si duhej të kontaktohej Mustafa, raporton lajmi.net.
“Thaçi thotë se Mustafa duhet të thotë se nuk janë dhënë urdhra të drejtpërdrejtë nga Thaçi”, ka thënë prokurori, duke argumentuar se qëllimi ishte që ajo që do të thoshte Mustafa të mos lidhej drejtpërdrejt me Thaçin.
Sipas Prokurorisë, të dy burrat e dinin se ajo që po bënin ishte e paligjshme dhe për këtë arsye po përpiqeshin që lidhja mes Thaçit dhe Mustafës të mos ishte e drejtpërdrejtë.
Në këtë pjesë të bisedës, sipas prokurorit, Fazliu i thotë Thaçit: “Që kemi folur me të dhe i kemi treguar atij”, duke e përdorur këtë si argument se Fahriu ishte në dijeni për atë që po ndodhte dhe për takimet me Mustafën.
Prokurori ka theksuar se Fahriu, sipas kësaj bisede, ishte takuar me Mustafën përpara vizitës së Fazliut dhe Thaçit dhe përsëri pas vizitës.
Më pas, sipas Prokurorisë, në bisedë përmendet edhe qëllimi që duhej t’i përcillej Mustafës.
“Thuaji atij se synimi është që t’ju ketë të lirë ju, ty të lidh ata nga lart poshtë”, citoi prokurori fjalët e Fazliut.
Fazliu, sipas Prokurorisë, përgjigjet: “Nëse të lidhin me ta është keq për ty, bën keq”.
Pikërisht këtë pjesë, prokurori e ka paraqitur si dëshmi se vizita nuk kishte të bënte me ndonjë pajtim mes personave, por me dëshminë e Mustafës dhe mënyrën se si ajo do të trajtohej.
Sipas argumentimit të Prokurorisë, qëllimi ishte i qartë: Thaçi kërkonte që lidhja e tij me Mustafën të ndërpritej dhe që komunikimi me dëshmitarin të zhvillohej përmes personave të tjerë, në mënyrë që ajo që Mustafa do të thoshte të mos lidhej me Thaçin.
Prokurori ka argumentuar se vetë përgjigjet e Fazliut tregojnë se ai e kuptonte rëndësinë e këtij veprimi dhe pasojat që mund të kishte për Thaçin nëse lidhja mes tyre dhe dëshmitarit do të bëhej e drejtpërdrejtë.
Këto janë pretendime të Prokurorisë të paraqitura gjatë deklaratave përfundimtare dhe jo konstatime përfundimtare të trupit gjykues. /Lajmi.net/