Nëse City shpallet kampion, Aston Villa fiton 15 milionë funte – ndeshja mes tyre përcakton gjithçka

Manchester City do ta luajë ndeshjen e fundit në kampionat kundër skuadrës së Aston Villa.

Sport

18/05/2022 12:45

‘Citizens’ kanë nevojë për tri pikë në mënyrë që të shpallen skuadër kampione, pasi kanë vetëm një pikë më shumë sesa Liverpool.

Aston Villa, me Steven Gerrard – legjendën e Liverpool – në krye të stolit, pritet t’i hap telashe Man Cityt të Pep Guardiolas.

Megjithatë, ka edhe një anë tjetër të medaljes, në të cilën thirret analisti i ‘Sky Sports’, Micah Richards, që dikur luante me fanellën e City, përcjell lajmi.net.

Ai insiston se në marrëveshjen e Man City për transferimin e Jack Grealish nga Aston Villa, ka një klauzolë që thotë se nëse ‘Citizens’ shpallen skuadër kampione, Aston Villa merr 15 milionë funte si bonuse.

Në Angli insistojnë se paratë do të luajnë rol kyç në angazhimin e Aston Villa në ndeshjen e fundit të sezonit.

Megjithatë, këto mbesin vetëm në nivel spekulimesh. Premier League është dëshmuar si ligë serioze dhe vështirë se mund të ketë këso kalkulimesh. Anash të gjithave, City mbetet favorit absolut në ndeshjen e fundit. /Lajmi.net/