Nëse BE-ja nuk vepron, përdoret forca e ligjit

Institucionet e Kosovës, janë duke u koordinuar me Bashkimin Evropian, për të reaguar kundër ndërhyrjeve të Serbisë në emërimet e zyrtarëve komunal.

Lajme

13/01/2015 09:20

Autoritetet serbe kanë emëruar kryetarin e ligjshëm të komunës së Shtërpcës, në krye të komunës paralele të kësaj qyteze. Ndërhyrje të ngjashme kanë ndodhur edhe në komunat në veri të Kosovës.

Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, tha për Radion Evropa e Lirë se nëse Bashkimi Evropian nuk vepron, institucionet e Kosovës do të përdorin forcën e ligjit lidhur me këto raste.

“Në parimin e bashkëpunimit tonë me Bashkimin Evropian, në kuadër të dialogut të Brukselit, ne kemi qasje që gjithmonë në fazën e parë të krijimit të problemit, kërkojmë një koordinim me Brukselin për hapat që do të ndërmarrim. Mirëpo, nëse Brukseli nuk do të japë përgjigje ose do të vonohet, ne do të jemi të detyruar të përdorim forcën e ligjit”, tha ministrja Tahiri.

Qeveria e Republikës së Kosovës e ka njoftuar Bashkimin Evropian në lidhje me vazhdimin e ndërhyrjeve ilegale të Serbisë në Kosovë dhe shkeljen e Marrëveshjes së Brukselit për normalizim, me rastin e vendimit për vazhdimin e funksionimit të strukturave paralele.

Në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, thuhet se “nëse kryetari i komunës emërohet (zgjidhet) edhe përfaqësues i një organi tjetër të emëruar nga një shtet tjetër atëherë konsiderohet ndërhyrje në sistemin kushtetues të vetëqeverisjes lokale”.