Nëntëvjeçari u mban “leksion” deputetëve të parlamentit në Westminster (Video)
Nëntëvjeçari Alex Rukin është personi më i ri që iu është drejtuar anëtarëve të Parlamentit Britanik. Madje ai u ka mbajtur “ligjëratë” deputetëve, pse nuk duhet miratuar projektin e kompanisë HS2 (“High Speed Two”) për ndërtimin e një linje të re hekurudhore që do të lidhë Londrën me pjesën veriore të Anglisë.
Bota
Alex, i cili që prej nj viti është duke luftuar kundër këtij projekti dhe u bë i njohur me thirrjen përmes një videoje se pse nuk duhet ndërtuar kjo linjë e re hekurudhore, ka kritikuar edhe menaxherët e projektit HS2, të cilët sipas tij kanë bërë përllogaritje të gabuara të buxhetit që do të shpenzohet.
Djali nga Kenilworth, babai i të cilit është udhëheqës i fushatës “Stop HS2”, ka thënë se menaxherët e këtij projekti të diskutueshëm po përpiqen që të bindin anëtarët e parlamentit që të miratojnë planin e tyre duke ofruar “çmim të arsyeshëm” për ndërtimin e kësaj hekurudhe të re.
“Por unë ju them juve, anëtarë të nderuar të Dhomës së Komunave, se ndërtimi i kësaj linje të re hekurudhore do të kushtojë shumë më shtrenjtë se sa thonë këta dy menaxherë, do t’i kushtojë qeverisë dhe do të na kushtojë neve”, tha Aleksandri para Komitetit të Komunave në Parlament.
“Unë e kam studiuar planin dhe e kam vërejtur se këta dy menaxherë janë shumë të dobët në matematikë, madje jashtëzakonisht të dobët. Ka shumë punë për të bërë, dhe një projekt i këtillë do t’i kushtojë shumë buxhetit të qeverisë. Unë jam i gatshëm t’ju ndihmojë në matematikë menaxherëve të projektit, nëse ata pranojnë dhe pastaj do të diskutojmë nëse duhet miratuar apo jo ky plan, për të cilin nuk është se ka pasur nevojë të madhe”, ka thënë Alex, njofton The Telegraph, transmeton lajmi.net.
“Projekti për këtë linjë të re hekurudhore po shqetëson mijëra banorë, përfshi edhe familjen time, sepse në radhë të parë mua do të më prishë gjumin, edhe nënës sime dhe shumicës së njerëzve që nuk kanë shprehur ndonjë interesim për këtë projekt. Edhe kur të rritëm do të obligohem të paguaj taksa për diçka që nuk kemi nevojë, që do të na shqetësojë, do të na prishë pyjet dhe fushat tona”.
Alex ka thënë se peticioni kundër këtij projekti nuk është nënshkruar vetëm nga njerëzit në moshë të thyer, të cilët siç ka thënë ai nuk dinë çfarë është Interneti, Skype apo Face Time, “nga ata që në shkollë kanë pasur një kompjuter në rrotë, që ka ‘shëtitur’ klasë më klasë”.
“Gati 21 mliardë funta është më mirë të shpenzohen në ndërtimin e shkollave, në arsim e shëndetësi se sa në një ‘vrimë të zezë’, në një projekt që nuk ka paraparë dëmet që do t’iu shkaktohen fermerëve, as shtigjet që do të kalojnë bagëtitë e tyre nga njëra anë e livadhit në tjetrën”, tha Alex.
Duke ua kujtuar deputetëve se “menaxherët e projektit HS2 nuk dinë të orientohen as në hartë”, nëntëvjeçari tha se “këtij plani duhet thënë STOP, sepse është i keq dhe i padobishëm për shumicën e banorëve lokalë kah parashikohet të bie hekurudha e shpejtë”.
Djaloshi u duartrokit nga deputetët dhe përpara se t’i urohej udhëtim i mbarë për në Midlands, ai u pyet nga James Strachan, përfaqësues i Departamentit për Transportin, se çfarë pikësh ka marrë në testin e fundit të Matematikës. “Testin tim të fundit nga matematika e kam përfunduar me 93 për qind, që ishte edhe rezultati më i lartë i arritur në klasat e gjeneratës sime”.
Para se të largohej, Alex edhe njëherë, kësaj radhe paksa me tallje dhe duke qeshur, shprehu gatishmërinë për t’i ndihmuar menaxherët e “HS2 Ltd” në leximin e hartave, në matematikë, në projekt-buxhet të këtij plani, por duke e falënderuar për informatat dhe ofertën e tij për ndihmë, Strachan tha se vendimi përfundimtar për këtë projekt duhet shqyrtuar pasi “djalli ka hyrë në detaje”. /lajmi.net/