Nënat e Srebrenicës i kërkojnë Hagës ta dënojë Daçiqin

Shoqata “Nënat e enklavës së Srebrenicës dhe Zhepës” i janë drejtuar gjykatësit Carmel Agius, presidentit të Mekanizmit Ndërkombëtar të Tribunaleve Kriminale të Mbetura, që merret me krimet e luftës në ish Jugosllavi, të ndërmerr masa ndaj shefit të diplomacisë së Serbisë që kishte kërcënuar tërthorazi ata që tregojnë për varrezat masive në Serbi në intervistën e tij në një televizion serb

Lajme

15/10/2020 16:34

Shoqata i shkruan Agius se ata me vite kanë dyshuar se në territorin e Serbisë ekzistojnë varreza masive në të cilat gjenden kufomat e kroatëve, boshnjakëve dhe shqiptarëve.

Shoqata shkruan se më parë e kishin njoftuar gjykatësin rreth sulmeve ndaj dëshmitarëve të mbrojtur në rastet e krimeve të luftës që i kishte bërë drejtori i qendrës së Republika Srpska për hetimin e krimeve të luftës dhe kërkimin e të zhdukurve Milorad Kojiq, në publik është mësuar edhe për intervistën e ministrit të punëve të jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, që paturpësisht i vendos shënjestrën në kokë të gjithë atyre që flasin për ekzistimin e varrezave masive të shqiptarëve në territorin e Serbisë.

Shoqata në kërkesën e tyre shkruan se Daçiq në atë intervistë i ka konfirmuar dyshimet e tyre dhe në “mënyrë indirekte i kishte kërcënuar të gjithë ata që guxojnë të flasin për këtë, që do të përballen me përndjekjen aparatit shtetëror të cilin Daçiq e përfaqëson.

Shoqata e Nënave të Srebrenicës kërkon nga ky institucion ndërkombëtar që “të ndërmarrë masat e duhura në kuadër të autorizimit të tyre ndaj ministrit Daçiq dhe të informoni Këshillin e Sigurimit të OKB-së për ballafaqimin e paskrupullt të Serbisë me të gjithë ata që mendojnë të tregojnë për ekzistimin e varrezave masive në territorin serb”.

Daçiq në emisionin Çirilica në televizionin serb Happy TV  me 28 shtator ishte shprehur i zhgënjyer me serbët që po tregojnë se ku janë varrezat masive në Serbi, dhe ishte ankuar se dosjet e institucioneve serbe po bien në duart e UÇK-së.