Nën tokë kushte të rënda, mbi tokë rekorde: Dy realitetet e Trepçës

Pas gati tetë orësh punë në horizontin e pestë të Minierës së Artanës, Shemsi Bujaku ndalet pranë hyrjes së tunelit dhe përkulet mbi çizmet e tij të verdha. Me dorë përpiqet të largojë shtresat e baltës që i janë ngjitur pas një dite të gjatë nën tokë. Rrobat i ka të lagura, të rënda, të…

Lajme

26/05/2026 21:14

Pas gati tetë orësh punë në horizontin e pestë të Minierës së Artanës, Shemsi Bujaku ndalet pranë hyrjes së tunelit dhe përkulet mbi çizmet e tij të verdha.

Me dorë përpiqet të largojë shtresat e baltës që i janë ngjitur pas një dite të gjatë nën tokë.

Rrobat i ka të lagura, të rënda, të mbuluara me pluhur.

“Shikoji rrobat dhe e kupton çfarë pune bëj”, thotë ai.

57-vjeçari nga Podujeva është ndihmës-xehtar prej më shumë se dy dekadash.

Sapo ka dalë nga miniera bashkë me kolegët, pas një ndërrimi ku kanë mbushur vagonë me koncentrat plumbi dhe zinku.

Por, lodhja fizike nuk është më sfida e vetme.

“Është shumë e vështirë puna nën tokë – ajri i ndotur, pluhuri, lagështia. Pajisjet janë shumë të vjetra, më të vjetra se vetë ne”, thotë Bujaku për Radion Evropa e Lirë.

Për këtë punë, ai merr 750 euro pagë bazë dhe 150 euro shtesë për rrezikshmëri. Ndonjëherë shton edhe ndonjë orë jashtë orarit, por për familjen e tij 5-anëtarëshe as kjo nuk mjafton.

“Rroga është e vogël, diskriminuese. Nuk mjafton… çmimet kanë shkuar në qiell”, thotë ai me një ton zhgënjimi.

Në mungesë të mensës, minatorët e marrin ushqimin me vete.

Nën tokë, por edhe në hapësirën ku gjendet miniera, nuk ka as sinjal telefoni, as internet.

Tetë orë të tëra, janë të shkëputur nga gjithçka – edhe nga familja.

Një punë që vazhdon përtej minierës

Artana, në komunën e Novobërdës në pjesën qendrore të Kosovës, është miniera e dytë më e madhe e Trepçës.

Aty nxirret koncentrati i plumbit dhe zinkut, që përmban edhe argjend dhe ar. Por, puna nuk përfundon këtu.

Përpunimi vazhdon 32 kilometra më larg, në Kishnicë

Koncentrati që nxirret nga Bujaku dhe 88 punëtorë të tjerë në Artanë, përpunohet nga 84 kolegë të tyre në flotacionin e Kishnicës.

Kushtet e tyre nuk dallojnë shumë – përkundrazi, në disa raste janë edhe më të vështira.

Milazim Bytyqi, 60 vjeç, punon që nga viti 1985 në flotacionin e Kishnicës dhe e mban mend mirë një kohë tjetër.

“Shumë më e lehtë ka qenë puna kur pajisjet kanë qenë të reja”, thotë ai.

Sot, realiteti është ndryshe.

“Janë kalbur mjetet. Këto nuk prodhojnë mirë. Riparimet e shpeshta rrisin rrezikun për aksidente”, shton ai.

Paga e tij prej 670 eurosh nuk ka ndryshuar prej 12 vjetësh.

“Çmimet janë rritur qind për qind. Kjo është e padrejtë. Nuk më mjafton për familjen 10-anëtarëshe. Jam detyruar të merrem edhe me bujqësi”, tregon Bytyqi për Radion Evropa e Lirë.

“Arnime” në vend të investimeve

Për kolegun e tij Jasin Vërtopi, puna në këtë industri ka qenë zgjedhje nga halli.

Ai hyri në këtë sektor gjashtë vjet më parë, gjatë pandemisë COVID-19, për të siguruar të ardhura për familjen.

Ajo që gjeti brenda thotë se e befasoi.

“Investimet kapitale janë zero. Ka vetëm arnime që shkojnë nga llamarina deri tek improvizimet me rroba pune”, thotë 42-vjeçari.

“Mos të jem banal, por ka raste që arnimet në makineri i bëjmë me rroba, me uniformat tona”, shton ai.

E, në një industri të rëndë, këto improvizime nuk janë vetëm çështje funksionimi, por edhe sigurie.

Nga gjigant industrial në krizë të zgjatur

Trepça, dikur një nga shtyllat kryesore të ekonomisë së Kosovës, e nisi veprimtarinë në vitin 1927, ndërsa prodhimi i rregullt filloi në vitin 1930, fillimisht me metoda primitive.

Brenda flotacionit të Kishnicës

Zhvillimi më i madh erdhi pas Luftës së Dytë Botërore: në vitin 1950 u ndërtua furra e parë në metalurgjinë e plumbit, ndërsa në vitin 1964 u bë integrimi i të gjitha minierave të plumbit dhe zinkut, duke hyrë në një fazë të zgjerimit dhe investimeve të mëdha.

Deri në vitet ’90, Trepça konsiderohej motori ekonomik i vendit.

Rënia nisi gjatë asaj dekade, kur regjimi i atëhershëm i Serbisë vendosi masa të dhunshme në Kosovë, duke mbyllur shumicën e ndërmarrjeve dhe institucioneve.

Në atë kohë, në gjithë kombinatin ishin të punësuar mbi 22 mijë punëtorë. Sot, numri i tyre ka rënë në rreth 1.040.

Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 2008, Trepça kaloi nën administrimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, duke mbetur për vite me radhë me status të paqartë.

Vetëm në vitin 2016, Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për Trepçën, përmes të cilit ndërmarrja u transformua në shoqëri aksionare: 80 për qind e aksioneve janë në pronësi të Qeverisë së Kosovës, ndërsa 20 për qind u takojnë punëtorëve.

Pagat e ulëta dhe mungesa e sigurisë

Pavarësisht këtij transformimi, gjendja e punëtorëve mbetet e vështirë.

Paga mesatare e minatorëve në Trepçë është rreth 611 euro, me dallime në varësi të përvojës dhe përgatitjes profesionale.

Ata nuk kanë sigurime shëndetësore apo jetësore, ndërsa incidente në punë raportohen vazhdimisht.

Vetëm këtë muaj, 18 minatorë mbetën të ngujuar për rreth 12 orë në një nga minierat më të mëdha të plumbit dhe zinkut, në Stantërg afër Mitrovicës, si pasojë e ndërprerjes së rrymës.

Kryetari i Sindikatës së Minatorëve, Ibrahim Jonuzi, ngre shqetësimin se në vitet e fundit nuk janë paguar rregullisht as kontributet e minatorëve në Trustin e Kursimeve Pensionale.

Zyrtarët e Trepçës nuk i kanë dhënë përgjigje Radios Evropa e Lirë për shumën e borxheve dhe detyrimet ndaj institucioneve apo kompanive private.

“Një pagë dinjitoze për minatorët duhet të jetë nga 1.500 deri në 2.000 euro”, thotë Jonuzi.

Përveç nivelit të ulët të pagave, problem mbetet edhe shpërndarja e tyre.

Punëtorët e Trepçës jo gjithmonë i marrin pagat me kohë, pasi ato varen drejtpërdrejt nga prodhimi dhe shitja e produkteve.

Kjo situatë ka shkaktuar ndër vite greva të punëtorëve dhe ndërprerje të punës.

Në vitin 2024, Qeveria e Kosovës ndau katër milionë euro për mbulimin e pagave – një masë që dëshmoi varësinë e vazhdueshme të ndërmarrjes nga mbështetja buxhetore.

Pajisje të vjetra, probleme të vazhdueshme

Një nga problemet kryesore të sektorit minerar në Kosovë mbeten pajisjet e amortizuara.

“Aparaturat dhe pajisjet e vjetruara ndikojnë drejtpërdrejt në efikasitetin e punës, rrisin nevojën për mirëmbajtje dhe shtojnë rrezikun e ndërprerjeve teknike”, thotë Hysni Beqiri, këshilltar i përgjithshëm i kryeshefit ekzekutiv në Trepçë dhe ushtrues detyre i drejtorit të shitjeve.

Sipas tij, investimi i fundit konkret është bërë në vitin 2022 në minierën e Artanës, me blerjen e dy vetëngarkuesve të vegjël.

Në flotacione, ndërkohë, ka pasur vetëm mirëmbajtje të pajisjeve ekzistuese, pa investime kapitale.

Megjithatë, ai vlerëson se siguria në punë është “e kënaqshme”, ndonëse pranon se natyra e punës i bën të pashmangshme edhe aksidentet.

Rritje prodhimi, por mbi baza të brishta

Por, pavarësisht problemeve strukturore, në muajt e parë të këtij viti është shënuar një rritje e ndjeshme e prodhimit.

Vetëm në periudhën janar-mars janë prodhuar 140 tonë koncentrat plumbi – rreth gjysma e sasisë së prodhuar gjatë gjithë vitit të kaluar. Ndërkohë, prodhimi i koncentratit të zinkut – 375 tonë – ka tejkaluar totalin e vitit paraprak.

Rritja e prodhimit është reflektuar edhe në eksport: nga janari deri më 15 maj, vlera e eksportit ka arritur në rreth 1.4 milion euro.

Produktet janë eksportuar kryesisht në Angli dhe Bullgari.

Nga viti 2022 deri vitin e kaluar, trajektorja e prodhimit të tyre ka qenë në rënie…

… edhe pse në planet e biznesit, planifikimi për prodhim ka qenë dukshëm më i lartë.

Sipas menaxhmentit, rritja e prodhimit lidhet me rikthimin e disiplinës në punë, menaxhimin më efikas të proceseve dhe shfrytëzimin më racional të resurseve minerare.

Megjithatë, një problem i madh mbetet efikasiteti i ulët i përpunimit.

“Rreth 30 për qind e metalit humbet dhe përfundon në deponi industriale për shkak të pajisjeve të vjetra dhe mungesës së investimeve”, thotë Beqiri.

Ai thekson se një kredi prej rreth 15 milionë eurosh do të mund ta stabilizonte gjendjen përmes ndërtimit të një flotacioni të ri dhe investimeve në makineri të rëndë.

Në vitin 2023, Qeveria e Kosovës miratoi një kredi prej 20 milionë eurosh për Trepçën, por nuk ka ende përgjigje të qarta se kur dhe si do të realizohen këto investime.

Qeveria e Kosovës, tani në detyrë, nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë për këtë çështje.

Ibrahimi: Trepça, një “nëntokë” politike

Për ish-kryeshefin e Trepçës, Basri Ibrahimi, fati i këtij gjiganti industrial nuk lidhet vetëm me pasuritë nëntokësore, por edhe me ndikimet mbi tokë – veçanërisht ato politike.

Ai thotë se Trepça ka potencial real për rimëkëmbje, por vetëm nëse politika tërhiqet nga menaxhimi i saj.

Sipas tij, ndërhyrjet e vazhdueshme politike, emërimi i kuadrove joprofesionale në pozita kyç dhe grumbullimi i borxheve ndaj institucioneve dhe subjekteve të tjera, e kanë vështirësuar ndjeshëm funksionimin normal të kombinatit.

Megjithatë, Ibrahimi sheh ende hapësirë për kthesë.

Ai vlerëson se me investime kapitale dhe me vendosjen e profesionistëve në udhëheqje, Trepça mund të gjenerojë të hyra të qëndrueshme, jo vetëm për paga, por edhe për zhvillim të mëtejmë.

“Makineritë janë jashtëzakonisht të vjetruara, në shumë raste të papërdorshme dhe krejtësisht të demoduara. Asnjëherë nuk ka pasur investime strategjike”, thotë ai, duke përshkruar gjendjen teknologjike të ndërmarrjes.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të shitjeve, Hysni Beqiri, thotë se si aksionare me 80 për qind, Qeveria e Kosovës i emëron drejtuesit, duke shtuar se ata supozohet të jenë ekspertë të fushës, megjithëse ai nuk komenton nëse gjithmonë janë “njerëzit e duhur në vendin e duhur”. REL