Në KQZ vendosin për kamera në vendvotime me 21 prill dhe zgjedhje tjera, diskutohet për ligjshmërinë e këtij vendimi

Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, është diskutuar lidhur me aktivitetet e sekretariatit dhe raportin e Këshillave të KQZ-së. Gjatë diskutimeve u tha se të gjitha Qendrat e Votimit në katër komunat veriore, i plotësojnë kriteret ligjore për vendndodhjen e tyre. Derisa një numër i vogël nuk kanë qasje të lehtë për personat me nevoja të…

Lajme

28/03/2024 15:18

Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, është diskutuar lidhur me aktivitetet e sekretariatit dhe raportin e Këshillave të KQZ-së.

Gjatë diskutimeve u tha se të gjitha Qendrat e Votimit në katër komunat veriore, i plotësojnë kriteret ligjore për vendndodhjen e tyre. Derisa një numër i vogël nuk kanë qasje të lehtë për personat me nevoja të veçanta.

Anëtari i KQZ-së, Arianit Elshani ka prezantuar raportin e Këshillit për Operacione Zgjedhore duke thënë se risi është përkrahja teknike për kamera në vendvotime.

“Ju i keni secilin prej këtyre dokumenteve është diçka e re që po vendoset është përkrahja teknike për kamera në vendvotime me qenë se jemi në proces e sipër të huazimit të kamerave që do të regjistrojnë procesin e votimit brenda vendvotimeve. Duhet ta kemi një kontraktor për të na ndihmuar në instalimin e këtyre pajisjeve por edhe që të jetë në shërbim në mënyrë që çfarëdo lloj problemi teknik që mund të kemi në instalimin e këtyre kamerave të mund të zgjidhet shpejtë nga operatorët”, tha Elshani.

Përkundër votimit pro, anëtari i KQZ-së Ilir Gashi shprehet skeptik nëse është në përputhshmëri me ligjet aktuale të Kosovës vendosja e kamerave.

“Këtu i kam dilemat e mija nuk e di nëse është në plotni me kornizën tonë ligjore sepse për qendër të votimit kishte me qenë okej, por për vendvotime i kam dilemat e mija. Pavarësisht se unë votova pro nuk desha të ndahem nga kjo por ndoshta mund të ballafaqohemi në të ardhmen me ndonjë ankimim të mundshëm për të cilin nuk e di cili mund të jetë saktë rezultati i ankimimit”, shtoi Gashi.

E sqarime për këtë dha Elshani, duke treguar se këto specifika janë vetëm për përkrahjen teknike.

“Këto specifika janë vetëm për përkrahjen teknike që do të ipet sepse është një procedurë e veçantë që do të zhvillohet për marrjen në shfrytëzim dhe huazim nga KQZ-ja e Shqipërisë për të cilin do të kemi një memorandum bashkëpunimi me ta dhe do të huazohen këto kamera për të incizuar brenda vendvotimit. Kjo çështje sa i përket zgjedhjeve të ardhshme parlamentare dhe atyre lokale në nivel nacional nevojiten procedura të veçanta. Ky është një lloj testimi i pilotimit që po e bëjmë për përdorimin e këtyre kamerave brenda vendvotimeve”, u shpreh ai.

Ndërkaq, anëtari tjetër Alban Krasniqi, tha se kamerat vendosen në formë dhe pozitë ku ruhet mbarëvajtja e procesit.

“Ligji i ri i ka dhënë obligim KQZ-së që gjatë proceseve të votimit dhe numërimit të rritet transparenca dhe kjo është në suaza të asaj transparence. Natyrisht tu e ditë që edhe në shtetet e tjera që e përdorin këtë formë është e qartë se këtu ruhet fshehtësia e votës. Nëse është shqetësimi këtu kjo është e ruajtur në çdo aspekt. Ato vendosen në çdo formë dhe pozitë ku ruhet mbarëvajtja e procesit dhe për çfarëdo rrethane që mund të na duhet qoftë për arsye të rezultatit apo edhe të aspekteve të tjera që ne e dimë se kemi pas probleme kjo është e zgjidhshme”, tha ai.

Shqyrtimi dhe miratimi i specifikave teknike për shërbimet e instalimit dhe përkrahjes teknike të kamerave në vendvotime është miratuar nga anëtarët e KQZ-së.

Po ashtu u bë edhe njoftimi lidhur me procesin e rekrutimit të personelit të përkohshëm, për procesin e votimit për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni në Komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut. Deri më tani sipas njoftimit për 25 pozita janë bërë 64 aplikime.