Në Gllogjan ndizet “Zjarri i Lirisë”: Vetëm liri për çlirimtarët dhe asgjë tjetër
Në Gllogjan, në Zonën Operative të Dukagjinit, është ndezur “Zjarri i Lirisë”, në kuadër të aktiviteteve në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë. Sipas njoftimit të “Liria ka Emër”, në këtë aktivitet janë mbledhur veteranë dhe ish-pjesëtarë të UÇK-së, familje të dëshmorëve, invalidë të luftës,…
Lajme
Në Gllogjan, në Zonën Operative të Dukagjinit, është ndezur “Zjarri i Lirisë”, në kuadër të aktiviteteve në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë.
Sipas njoftimit të “Liria ka Emër”, në këtë aktivitet janë mbledhur veteranë dhe ish-pjesëtarë të UÇK-së, familje të dëshmorëve, invalidë të luftës, bashkëluftëtarë dhe qytetarë.
“Veteranë dhe ish-ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, familje të dëshmorëve, invalidë të luftës, bashkëluftëtarë dhe qytetarë janë bashkuar në Gllogjan për të dëshmuar se lufta për liri, sakrifica dhe historia e UÇK-së nuk harrohen”, thuhet në njoftim.
Organizatorët kanë theksuar se aktiviteti përcjell mesazhin e mbështetjes për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.
“Nga Dukagjini u përcoll qartë mesazhi se, edhe sot, bashkëluftëtarët që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë kanë pranë tyre njerëzit me të cilët ndanë rrugën e luftës dhe të lirisë”, thuhet më tej.
Në njoftim është përsëritur edhe mesazhi se ish-pjesëtarët e UÇK-së nuk janë të vetëm.