Në gjykimin ndaj ish-zyrtarëve të MI-së prokuroria kundërshton përfaqësuesin e kësaj ministrie si palë e dëmtuar
Në gjykimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare ndaj dy ish-zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës, Xhelil Bekteshi dhe Besim Tahiri, gjykata aprovoi kërkesën e prokurorisë që kjo ministri të mos përfaqësohet nga Hysen Merovci.
Lajme
Sipas prokurorit Ibrahim Berisha dhe trupit gjykues të kryesuar nga gjykatësja Fatime Dërmaku, në rastin konkret kemi të bëjmë me konflikt interesi, për çka, në vend të përfaqësuesit Merovci do të ftohet Avokatura Shtetërore e Ministrisë së Drejtësisë.
Në seancën e së martës, pas deklarimit të përfaqësuesit Merovci, se MI nuk është palë e dëmtuar me rastin e tenderimit, prokurori Berisha ka reaguar duke thënë se i akuzuari Bekteshi e kishte caktuar Merovcin anëtar të komisionit, për çka ka kundërshtuar që i njëjti të jetë përfaqësues i MI-së.
“Personi i caktuar nga MI për të përfaqësues këtë ministri si palë e dëmtuar, unë si prokuror i shtetit konsideroj se është në konflikt të interesit të drejtpërdrejtë me të akuzuarit Xhelil Bekteshi, ngase i njëjti me vendimin e protokolluar të datës 23.5.2016 e ka caktuar si anëtar të komisionit dhe unë konsideroj se në rastin konkret MI është dashur të dërgoj një person, i cili në mënyrë të denjë do të përfaqësoj ministrinë për dëmin e shkaktuar”, deklaroi prokurori Berisha, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndryshe, në fillim të kësaj seance ka dhënë dëshminë zyrtari ligjor i MI-së, Zymer Avdullahu.
I pyetur se a e kishte njohur Valentina Rexhepi-Ibishin gjatë periudhës mars–qershor 2016, dëshmitari Avdullahu tha se për të kishte qenë në dijeni që kishte punuar në arkivin e kësaj ministrie, por që të njëjtën nuk e kishte parë asnjëherë në zyrën e sekretarit të përgjithshëm atë kohë, të akuzuarin Bekteshi.
Seanca e radhës për këtë rast u caktua të mbahet më 12 maj 2021, në ora 13:15.
Prokuroria pretendon se Xhelil Bekteshi, në pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës, i ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare, ndërsa njëjtë akuzohet se ka vepruar edhe Besim Tahiri, në pozitën e ushtruesit të detyrës së Drejtorit në Divizionin e Prokurimit në këtë ministri.
Në këtë rast, bashkë me Bekteshin e Tahirin është akuzuar edhe Naim Sallahu, por ai kishte bërë marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë dhe ishte dënuar me 6 muaj burgim, por që i ishte zëvendësuar në dënim me gjobë.
Më 29 janar 2018, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë ndaj Xhelil Bekteshit dhe Besim Tahirit, me pretendimin se kishin kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe ndaj Naim Sallahut për veprën penale “falsifikim i dokumentit”.
Siç thuhet në aktakuzë, i pandehuri Bekteshi, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), kishte tejkaluar kompetencat tij si person zyrtar.
Bekteshi thuhet se e kishte obliguar zyrtaren (arkivisten) Valentina Rexhepi që në librin e protokollit të regjistronte vendimin me të cilin ishte ndërruar kryetarja e komisionit për vlerësimin e ofertave për projektin “Zgjerimi i Rrugës Nacionale N-9” segmenti Gjuregjicë-Kjevë, duke regjistruar vendimin me datën 23.05.2016 në vend të datës reale 26.06.2016.
Gjithnjë sipas aktakuzës, ky ndryshim i datave ishte bërë me qëllim që tenderi t’i jepej operatorit ekonomik N.N.T “Sallahu”, i cili ishte me çmim 991,418.19 euro, ndërsa operatorit tjetër ekonomik i cili kishte prezantuar çmim më të ulët se ky operator ishte eliminuar.
I pandehuri Tahiri akuzohet se në cilësinë e ushtruesit të detyrës së Drejtorit në Divizionin e Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës (MI), kishte tejkaluar kompetencat e tij duke ushtruar ndikim te kryetarja e komisionit Erza Arifi, që e njëjta ta ndërrojë raportin për vlerësimin e tenderit.
Sipas prokurorisë, Tahiri e kishte obliguar Arifin që të paraqes kërkesë me shkrim për tërheqje nga komisioni në mënyrë që të bëhej ndryshimi i vendimit të marrë dhe tenderi t’i jepej operatorit ekonomik “Sallahu” edhe pse kishte çmim më të lartë.